Vendosni fjalën kyçe....

Gjoba dhe sekuestrime në Shëngjin për abuzime me hapësirat publike dhe çmimet e parkingjeve


Policia në Shëngjin, në bashkëpunim me institucionet vendore, ka vijuar sot aksionin për evidentimin dhe ndëshkimin e abuzimeve me hapësirat publike dhe tarifat e parkingjeve përgjatë vijës bregdetare. Një grup i përbashkët pune, i përbërë nga përfaqësues të Bashkisë Lezhë, Policisë Bashkiake, Drejtorisë së Urbanistikës, Drejtorisë së Taksave dhe Njësisë Administrative, ka zhvilluar një kontroll të gjerë në terren, duke verifikuar situatën e menaxhimit të plazheve dhe shfrytëzimin e hapësirave publike.

Gjatë kontrolleve janë evidentuar një sërë shkeljesh, që lidhen kryesisht me vendosjen e çmimeve të pajustifikuara për parkimin, mungesën e dokumentacionit ligjor për kontratat e dhënies me qira të stacioneve të plazheve, përfshirë edhe ato të menaxhuara nga kompania “Lezha Invest”, si dhe raste të zënies pa autorizim të hapësirave publike në zonat e dedikuara për plazhe publike.

Për subjektet që rezultuan në shkelje janë marrë masa të menjëhershme administrative, përfshirë gjobitje dhe sekuestrime, ndërsa disa raste janë referuar pranë Drejtorisë së Tatimeve për hetim të thelluar në lidhje me evazionin fiskal dhe mospërputhjen me detyrimet ligjore.