Vendosni fjalën kyçe....

Shkon në 45 numri i të lënduarve nga shpërthimi i karburantit në Romë, përfshirë oficerë dhe zjarrfikës



Një shpërthim i fuqishëm ndodhi të premten në mëngjes në një pompë karburanti në lagjen Prenestino të Romës, duke lënë të paktën 45 persona të lënduar, mes tyre 12 oficerë policie dhe gjashtë zjarrfikës, njoftuan autoritetet italiane për REL.

Sipas raportimeve, shpërthimi ndodhi rreth orës 08:00 në shpërndarësin e benzinës, naftës dhe gazit të lëngshëm të naftës (LPG), ndërsa zhurma e fuqishme u dëgjua në të gjithë kryeqytetin italian. Pamjet e publikuara nga mediat lokale dhe Departamenti i Zjarrfikësve tregojnë tym të dendur dhe flakë të mëdha që përfshinë zonën, ndërsa pompa e karburantit u shkatërrua pothuajse tërësisht.

Më shumë se 40 persona po marrin trajtim mjekësor në spitalet e zonës, ndërsa dy prej tyre janë në gjendje kritike për shkak të djegieve të rënda.

Shpërthimi ndodhi pasi një kamion goditi një tubacion gjatë procesit të mbushjes së rezervuarëve me karburant, duke shkaktuar një rrjedhje gazi e cila mendohet të ketë çuar në zjarr dhe shpërthim, bëri të ditur kryetari i Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, nga vendi i ngjarjes.

Papa Leoni XIV reagoi përmes një postimi në platformën X, duke shprehur shqetësim dhe lutje për të prekurit nga ngjarja: “Lutem për njerëzit e prekur nga shpërthimi në një pompë në zemër të Dioqezës sime. Vazhdoj ta ndjek me shqetësim zhvillimin e këtij incidenti tragjik.”

Edhe kryeministrja Giorgia Meloni falënderoi forcat e emergjencës për ndërhyrjen e shpejtë dhe kontributin në parandalimin e pasojave më të rënda: “Falënderoj policinë, zjarrfikësit dhe të gjitha shërbimet e emergjencës që vepruan me profesionalizëm për të kufizuar dëmet e kësaj ngjarjeje tragjike.”

Pompa e dëmtuar mbante logon e kompanisë energjetike Eni, por sipas një deklarate zyrtare të kompanisë, ajo nuk ishte në pronësi të saj. Kujtojmë se në dhjetor të vitit të kaluar, pesë persona humbën jetën nga një shpërthim në një depo karburanti të Eni pranë Firences.

Hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes janë ende në vijim.