Vendosni fjalën kyçe....

I akuzuari për vrasjen e bashkëshortes, Naim Murseli dërgohet për ekzaminim psikiatrik në QKUK


I akuzuari për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, Naim Murseli, është dërguar sot në Klinikën e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku ka kryer një ekzaminim psikiatrik dhe skanim me CT.

Sipas burimeve të KosovaPress, Murseli është shoqëruar nën masa të rrepta sigurie, me pranga në duar dhe këmbë, dhe është larguar nga klinika pas përfundimit të ekzaminimit.

Ky zhvillim vjen pas një vendimi të Gjykatës, gjatë seancës së mbajtur më 4 qershor, në të cilën është aprovuar kërkesa e mbrojtjes për t’i bërë të akuzuarit një vlerësim psikiatrik.

Ngjarja e rëndë që tronditi opinionin publik ndodhi në nëntor të vitit 2023, kur Liridona Ademaj u vra në mënyrë të organizuar. Për këtë vrasje janë vënë nën akuzë tre persona: bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, si dhe dy të dyshuarit e tjerë, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit po vijojnë, ndërsa procesi gjyqësor ka hyrë në faza kyçe.