Vendosni fjalën kyçe....

Avokati i Liridona Ademajt: Naim Murselin duan ta shpëtojnë nga burgu përjetë


Avokati i familjes Ademaj ka deklaruar se çuarja për ekzaminim psikiatrik e Naim Murselit bëhet për të shmangur dënimin me burg përjetë.

Gjykata vendosi se Murseli, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademaj duhet t’i nënshtrohet vlerësimit psikiatrik. Murseli është i shtruar në Spitalin Psikiatrik në Prishtinë prej shtatë ditësh.

Avokati Leutrim Syla, i cili e përfaqëson familjen Ademaj, ka bërë thirrje për ekzaminim të drejtë.

“Si përfaqësues i familjes shpreh në njërën anë shpresën që i gjithë ky proces të zhvillohet konform ligjit dhe të vendoset në mënyrë të drejtë dhe profesionale. Duke pasur parasysh që ka pasur çdoherë dyshime në këto institucione, kur është vendosur me ekzaminimet e ngjashme, familja shpreh shqetësimin dhe frikën mos do të ketë ndikime të mundshme në vendimmarrje që do të bëhet në përpilimin e raporteve dhe ekzaminimit psikiatrik. Jemi me shpresë që çdo gjë do të shkojë mirë”, ka theksuar ai.

Shpend Haxhibeqiri, drejtor i QKUK-së, ka thënë se Murseli do t’i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik dhe do të qëndrojë aty derisa stafi mjekësor ta vlerësojë të mjaftueshme praninë e tij, shkruan Koha.net.

Për transferimin e Murselit në Institutin e Psikiatrisë, avokatja e tij, Teuta Zhinipotoku, ka thënë se nuk është njoftuar zyrtarisht.

“Nëse z. Naim Murseli është transferuar në Institutin e Psikiatrisë apo në Klinikën e Neurologjisë, kjo do të ketë ndodhur si rezultat i kërkesës së paraqitur nga mbrojtja për vlerësimin e gjendjes së tij mendore dhe vetëm me aprovimin e Gjykatës. Deri më tani unë nuk jam zyrtarisht e njoftuar për një zhvillim të tillë, por çdo veprim i tillë do të duhej të ishte në kuadër të procedurës ligjore”, ka theksuar avokatja Zhinipotoku.

Kërkesën për ekzaminim psikiatrik, avokatja e Murselit e ka justifikuar duke thënë se klienti i saj ka shpërfaqur gjendje psikiatrike të paqëndrueshme. Gjykata, e cila e ka miratuar kërkesën, ka vendosur që procesi të kryhet brenda 2 javësh.

Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për të përfituar financiarisht nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro. Sipas prokurorisë, vrasjen ai e ka planifikuar së bashku me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve ua ka premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh për kryerjen e krimit. Liridona Ademaj është vrarë në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, gjatë inskenimit të një grabitjeje.