Kreu i Partisë Mundësia Agron Shehaj tha mbrëmjen e sotme se në zgjedhjet e 11 majit është hedhur një hap i rëndësishëm ndërsa u shpreh i bindur për rrugëtimin që është nisur.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN ai hodhi poshtë akuzat e ish-kolegëve të tij në PD sipas të cilëve është zgjedhur nga PS-ja si opozita e radhës.
Shehaj u bëri thirrje të gjithë ish-deputetëve ose kandidatëve që të bashkohen me “Mundësinë”.
“Kam qenë shumë aktiv në parlament. Nisën të dilnin fjalë se mazhoranca më kishte zgjedhur mua të isha opozita e tyre. Por ata më mbyllën biznesin sepse unë çova në gjykatë mandatin e Xhaçkës pastaj të gjithë erdhën pas meje sepse e kuptuan që nuk mund të heshtnin. Mjaftojnë dy minuta për të thënë thelbin. Jemi të hapur ndaj të gjithëve, kemi hedhur një hap të madh të rëndësishëm. Vlen për të gjithë ata që nuk janë në parlament por që besojnë. Kishim pritshmëri jashtë Tiranës prandaj garuam gjithandej dhe donim të jepnim perceptimin që jemi parti kombëtare. Do punojmë më shumë herën tjetër. Sistemi elektoral është ndërtuar për të penguar partitë e reja. Por kjo është veshtirësia më e madhe, të hysh në Parlament. Ne kemi hyrë me dy deputetë. Kemi marrë vota në zona urbane, zona që mbahen si zona ku votojnë majtas. Është fillim inkurajues edhe pse prisnim më shumë” – tha Shehaj.