Presidenti kinez Xi Jinping tha se shpreson të shohë një marrëveshje paqeje “të drejtë” për Ukrainën, hapi i fundit në aktin e tij ekuilibrues për të përmirësuar lidhjet me Evropën përballë një embargoje tregtare de facto nga SHBA-ja.
Kina shpreson se “një marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe detyruese e paqes që pranohet nga të gjitha palët e përfshira” mund të arrihet përmes dialogut, i tha Xi homologut të tij rus Vladimir Putin gjatë një bisede në Moskë të enjten, sipas Agjencisë së Lajmeve Xinhua.
Ndërsa Xi nuksqaroi se si duhet të duket një marrëveshje e mundshme, komenti duket të jetë hera e parë ku udhëheqësi kinez ka paraqitur personalisht parimet për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së Kremlinit. Vërejtjet e tij i bëjnë jehonë një deklarate të marsit të ministrit të Jashtëm Wang Yi, i cili tha se të gjitha palët në konflikt duan një “marrëveshje paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme që është detyruese dhe e pranuar nga të gjithë”, shkruan Bloomberg.
Në shkurt 2023, Kina paraqiti një plan prej 12 pikash për t’i dhënë fund luftës së Rusisë ndaj Ukrainës, por aleatët e Kievit hodhën poshtë shpejt planin, i cili do t’i jepte fund sanksioneve ndaj Moskës, ndërkohë që do linte trupat ruse në territorin ukrainas. Xi është në një vizitë katërditore në Moskë ndërsa Rusia shënon 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Vërejtjet e Xi vijnë gjithashtu pasi Trump tha se do ishte “e natyrshme” që ai t’i kërkonte Kinës të ndihmonte për një marrëveshje midis Ukrainës dhe Rusisë. Në një postim në mediat sociale, udhëheqësi amerikan bëri thirrje për një armëpushim 30-ditor për t’i hapur rrugën bisedimeve, duke kërcënuar se do vendosë sanksione të mëtejshme nëse shkelet një armëpushim.