Vendosni fjalën kyçe....

“Bufi do shpallë fitore më datë 11, të hënë do japë alarmin e vjedhjes, të martë do thërrasë për revolucion” – Rama


Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste mbyllën sot fushatën elektorale në Tiranë, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit. Në një tubim me mbështetësit socialistë, Rama komentoi edhe retorikën e opozitës dhe këshilltarin amerikan të përfshirë në fushatën e Partisë Demokratike, Chris LaCivita.

“Bufi do e falënderojë popullin për fitoren më datë 11. Të drekën e së hënës do japë alarmin e vjedhjes. Dhe mëngjesin e së martës do thërrasë popullin për revolucion,” u shpreh Rama, duke ironizuar liderin e opozitës, Sali Berisha.

Ai vijoi me një koment ndaj LaCivita-s: “Latifi do iki me një grumbull parash. Do harrohet Latifi si kapelja trampiste që ia rrasi në kokë bufit.”

Në pjesën programore të fjalës së tij, Rama tha se Partia Socialiste synon të marrë mandatin e katërt qeverisës dhe të sigurojë të paktën 78 mandate në Kuvend.

“Nuk do humbasim asnjë minutë për Shqipërinë në BE. Për Shqipërinë me pagën mesatare 1200 euro. Për Shqipërinë turistike, me investime shembullore nga veriu në jug,” theksoi kryeministri.

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri mbahen më 11 maj dhe pritet të jenë vendimtare për drejtimin politik të vendit në katër vitet e ardhshme.