Vendosni fjalën kyçe....

Banorët e Hotolishtit protestojnë sërish: Kërkojmë tunel për Korridorin VIII dhe shpronësim me çmime tregu


Banorët e Hotolishtit në Librazhd janë ngritur sot në një tjetër protestë, duke shprehur pakënaqësinë ndaj mungesës së reagimit nga Ministria e Infrastrukturës, e drejtuar nga Belinda Balluku, për shqetësimet e tyre lidhur me projektin e Korridorit VIII.

Ata kundërshtojnë ndërtimin e rrugës sipas projektit aktual, duke kërkuar shpronësime me vlerën reale të tregut dhe ndërtimin e një tuneli që do të shmangte dëmtimin e fshatit dhe të zonës historike përreth.

“Ne kërkojmë që rruga të kalojë përmes një tuneli për të mbrojtur komunitetin tonë, historinë dhe mjedisin. Nuk jemi kundër zhvillimit, por duam zgjidhje të drejtë,” thanë disa prej protestuesve.

Banorët akuzojnë ministren Balluku për moskomunikim të vazhdueshëm dhe shpërfillje, duke theksuar se asnjë përfaqësues i qeverisë nuk ka ardhur të dialogojë me ta përballë.

Protesta e sotme është pjesë e një serie reagimesh të komunitetit lokal që kërkon të mos lihet jashtë vendimmarrjes për projektet strategjike që prekin drejtpërdrejt jetesën dhe pronat e tyre.