Rusia dhe Ukraina fajësuan njëra-tjetrën të dielën për thyerjen e armëpushimit njëditor të Pashkëve të shpallur nga presidenti rus Putin, me të dyja palët që akuzojnë tjetrën për kryerjen e qindra sulmeve, shkruan Reuters.
Putin, i cili dërgoi mijëra trupa ruse në Ukrainë në shkurt 2022, urdhëroi forcat ruse të “ndalojnë të gjithë veprimtarinë ushtarake” përgjatë vijës së frontit në luftën trevjeçare deri në mesnatën e së dielës.
Presidenti ukrainas Zelensky tha se Rusia po pretendonte të respektonte armëpushimin e Pashkëve, por në fakt kishte vijuar qindra sulme artilerie të shtunën mbrëma, me më shumë sulme të dielën.
Rusia nisi 46 sulme nga mesnata deri në orën 16:00 me orën lokale, duke përfshirë edhe armët e rënda, shkroi Zelensky në platformën e mediave sociale X.
“Ose Putin nuk ka kontroll të plotë mbi ushtrinë e tij, ose gjendja dëshmon se në Rusi, ata nuk kanë ndërmend të bëjnë një lëvizje të vërtetë drejt përfundimit të luftës dhe janë të interesuar vetëm për mbulim të favorshëm për arsye marëdhëniesh me publikun”, postoi Zelensky.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se Ukraina e kishte thyer armëpushimin më shumë se 1000 herë, duke shkaktuar dëme në infrastrukturë dhe duke shkaktuar disa vdekje civile.