
Ka përfunduar faza e parakualifikimit për ndërtimin e Portit të Ri në Porto Romano të Durrësit, një projekt strategjik për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të vendit. Në garën ndërkombëtare morën pjesë pesë konsorciume, por vetëm dy prej tyre janë kualifikuar për fazën e radhës, ndërsa tre të tjerë u skualifikuan, raporton Shqiptarja.com.
Komisioni vlerësues, i udhëhequr nga kompania konsulente ndërkombëtare Royal Haskoning DHV, përzgjodhi:
- Van Oord Dredging and Marine Contractors B.V. – kompani holandeze me eksperiencë të gjerë në ndërtimin e infrastrukturës detare.
- Archirodon Construction (Overseas) Company Limited – kompani greke me seli në Holandë, e specializuar në projekte të mëdha portuale.
Sipas procedurës, pas dorëzimit të dokumentacionit fizik, të dy konsorciumet e kualifikuara do të paraqesin edhe ofertat e tyre ekonomike.
Ky projekt ambicioz synon të ndërtojë një nga portet më moderne dhe më të mëdha në rajonin e Mesdheut, që do të shërbejë jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin, duke rritur ndjeshëm kapacitetet logjistike dhe lidhjet tregtare ndërkombëtare.