Dy deputetet e Partisë Demokratike, Ilda Dhori dhe Oriela Nebijaj, kanë vendosur të mos garojnë për një mandat të ri në listat e partisë së tyre.
Ilda Dhori, përmes një postimi në Facebook, shprehu zhgënjimin e saj për mungesën e përfaqësimit të grave në listat e PD-së, si dhe për mos përfshirjen e komunitetit të Divjakës dhe atij ortodoks në Qarkun e Fierit. Ajo e cilësoi vendimin e saj si të drejtin në kushtet e një procesi që, sipas saj, nuk ka vlerësuar kontributin e qytetarëve që mbështetën Partinë Demokratike gjatë këtyre viteve.
Ndërkohë, edhe Oriela Nebijaj ka reaguar në Instagram, duke theksuar se ishte vetë ajo që kërkoi të mos ishte në asnjë listë, as në Tiranë dhe as në Fier. Ajo sqaroi se nuk e konsideron këtë si tërheqje, por si një hap për t’i lënë mundësinë të rinjve dhe grave që e meritojnë më shumë. Nebijaj gjithashtu ritheksoi mbështetjen e saj për Partinë Demokratike dhe ekipin që do të garojë në zgjedhje.