
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi ndërprerjen e seancës plenare të Kuvendit të sotëm, duke kërkuar që Kryeministri Edi Rama të paraqitet për të zhvilluar interpelancën e kërkuar nga PD. Ai theksoi se, sipas procedurës, interpelanca me Kryeministrin duhej të ishte pika e parë në rendin e ditës, duke i kërkuar Kryetares të Kuvendit të respektonte këtë detyrim.
Ai gjithashtu theksoi se reagimi i Kryeministrit ndaj kërkesës për interpelancë, duket se ka ndikuar në vendimin e Kryetares të Kuvendit për të mos e çuar përpara këtë procedurë, duke i hequr kështu mundësinë Kuvendit të ushtrojë kompetencat e tij.
“Sipas procedurës në seancën e radhës në këtë kuptim zonja kryetare ju kishit detyrimin që sot si pikë të parë të rendit ditës të vendosnit kërkesën për interpelancë të kërkuar nga grupi parlamentar i partisë demokratike me kryeministrin.
Padyshim që pas asaj që ju deklarua publikisht sipas kushtetutës sipas rregullores, duhej te sillnit kryeministrin të enjten e radhës, pra sot për zhvilluar interpelancat, për përmbushur detyrimin e tij kushtetues, për t’ju përgjigjur dhe për te dhenë llogari në parlament.
Ka pasur një reagim publik të kryeministrit që mesa duket ju ka diktuar dhe ju mos ushtrimin e kompetencës apo përgjegjësisë”, u shpreh Bardhi.
“Kërkesa ime është të thërrisni Kryeministrin personalisht të vijë dhe të japë llogari për informacionet që kanë dalë, kemi edhe dokumentacionet përkatëse. Ndërpritni seancën, detyrojeni të mos fshihet”, u shpreh me tej ai.