
Një Eurobond prej 600 milionë pritet të emetohet në tremujorin e parë të vitit që vjen, ku më shumë se gjysma shkon për financimin e maturimit të Eurobondit të emetuar në vitin 2018 , tha Ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili ishte sot i pranishëm në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, ku u diskutua mbi deficitin dhe borxhin, në kuadër të shqyrtimit të projektbuxhetit të shtetit për vitin 2025.
Ministri Malaj tha ripagesat gjatë vitit 2025 janë relativisht të larta, kryesisht për shkak të maturimit të një prej Eurobondeve të Republikës së Shqipërisë. Në vitin 2025 maturohet Eurobondi i emetuar në vitin 2018, ku konkretisht maturohet vlera e mbetur prej rreth 367 milionë Euro..
Gjatë fjalës së tij, Ministri theksoi se projektbuxheti 2025 materializon plotësisht objektivat kryesorë të politikës fiskale si: një balancë primare pozitive; reduktimin e borxhit publik në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, duke synuar për vitin e ardhshëm një nivel borxhi prej 55.8 % të PBB nga 56.3 % që pritet deri në fund të vitit 2024; sigurimin e një raporti produktiv midis huamarrjes totale neto të buxhetit dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qendrore. Deri në vitin 2031 raporti i Borxhit me PBB-në synohet të arrijë në 48%, tha ai.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor