Vendosni fjalën kyçe....

Zjarr në Parlamentin rumun, evakuohen 300 persona


Më shumë se 300 njerëz janë evakuuar në ndërtesën e parlamentit rumun, që quhet gjithashtu “Pallati i Çausheskut”. Të martën pasdite, një burrë i ka vendosur zjarrin një dhome pranë hyrjes së ndërtesës. Ngjarja ka ndodhur në zonën e vizitorëve, që përfshin një sallë ekspozite dhe dyqane suvenire.

“Një burrë i moshës 60-65 vjeç i ka vënë flakën lokaleve, flakët kanë mbuluar 30 metra katrorë. Më shumë se 300 persona u evakuuan nga ndërtesa. Nuk pati viktima, megjithatë njëra nga shitëset pati një sulm paniku ”, shkruajnë mediat rumune.

Zjarrfikëset kanë arritur menjëherë në vendngjarje, lokalizuan zjarrin dhe shuan flakët. Mediat rumune shkruajnë se autori i dyshuar është arratisur, teksa policia ka nxjerrë një foto të tij, teksa e kërkon për ta arrestuar.