Ashtu siç ishte caktuar, kjo e mërkurë e gjeti ish kryeministrin Sali Berisha në dyert SPAK-ut për tu njohur zyrtarisht me akuzat ndaj tij në lidhje me aferën “Partizani’.
Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit 2023, dhe ka qëndruar pa dalë nga shtëpia për 255 ditë, në një deklaratë për mediat para nisjes për në SPAK, tha se nuk do ndodhë më kurrë që kryeministri Rama t’i caktojë PD-së kreun e partisë, as kryeministrin.
Berisha tha gjithashtu se synimi i PD-së është rotacioni i pushtetit e sigurimi i votës së lirë.
“Nga SPAK pres një trillim fund e krye. Jemi më të motivuar se kurrë. Këtë do Edi Rama, që unë të mos jem kandidat për kryeministër, nuk do mund t’ia caktojnë kurrë, as kryeministrin, as kryetarin e partisë kësaj partie. Sot jemi forca politike më sovrane. Duam t’u kthejmë shqiptarëve votën e lirë, rotacionin e pushtetit, rrëzimin e rregjimit të Edi Ramës.” – tha Berisha.
Teksa mbërriti në SPAK, Berisha sulmoi këtë institucion duke e quajtur një Prokurori private të Ramës, ndërsa sulmoi edhe prokurorët duke thënë se janë mercenarë të Ramës.
“Prokuroria politike private e Ramës, SPAK bazuar në kallëzimin e rremë të ish kreut të grupit të PS dhe ish ministrit të brendshëm ka hetuar Berishën në tre breza, gjeri tek mbesat, qysh prej një kohe kur ato nuk kishin lindur. Mbajnë në arrest antikushtetues, kryetarin e opozitës pa asnjë fakt dokument apo dëshmi, veçse me dëshirën dhe vendimin e Ramës, kërkesën e tij publike në Kongres dhe Asamblenë e PS, si dhe me kërkesë në publike dhe jo publike tashmë të njohur të zyrtarëve dhe diplomatëve të korruptuar të një vendi mik si McGonigal. Skap, me dosjen partizani, krijoi piramidë mashtrimi, fshehu dhe manipuloi qindra dokumente publik dh elan ë burg të paligjshëm shtëpie Berishën me qëllimin e vetëm për t’i shërbyer Ramës. Rezulton se në dosjen e klubit s’ka asnjë çështje penale, mungon fakti penal dhe shteti s’ka humbur asnjë qindarkë publike, përkundrazi ka fituar nga zbatimi i ligjit. Prokurorët politik, mercenarë, e dinin që ishte mashtrim”, tha Berisha.
Ndërsa qëndroi brenda ambjenteve të SPAK-ut rreth 30 min, i cili u mor zyrtarisht i pandehur për aferën Partizani, mbështetësit e tij përpara SPAK-ut ishin duke protestuar për lirimin e tij.
Figurat politike të PD-së përgjatë fjalimit të tyre, sulmuan Prokurorinë e Posaçme, duke u shprehur se ky institucion i ka vënë shkelmin drejtësisë dhe se kreu i saj, Altin Dumani vepron në shkelje të ligjeve.
Teksa doli përpara mbështetësve të tij që ende po protestonin jashtë institucionit, Berisha me ironi tha: “Jam i pandehur. Më thanë më ka korruptuar dhëndri im!”
Berisha hodhi poshtë se ka bërë presion apo ka detyruar dikë për të firmosur dokumente për privatizimin e sport klub partizanit dhe akuzoi Ramën se në bashkëpunim me kreun e SPAK Altin Dumani.
Berisha: Kjo është një piramidë fund e krye mashtrimi, kjo ishte deklarata ime. Së dyti, vizitova pjesën muzeale të SKAP, gjendej ora 400 mijë e 600 euro e qëndisur me diamante, dhurata e Ramës, gjendjej fotografia, jo origjinali, se origjinalen e ka ai. Gjendej fotografia e Amant Josift për meritat e tij për spekulimin e mashtrimit botëror, gjendej Ymer Lala tek i jepet Dumanit 1 mln euro për pyetjen që si bëri, gjendej Balla që po merrte shpërblimin e Suel Çelës për lirimin e vrasësve të Lulzim Kullës. Gjendeshin horrat që shkojnë nga gjykatësi në gjykatës dhe u bëjnë format më të neveritshme të presionit duke përdor dokumente antiligjore për t’i mbajtur peng. Gjendeshin dokumente nga Greqia të Irenës me 5 mbiemra, të cilat i ruante Dumani në kasafortë dhe që tregonin që është një delikuente e dënuar. Gjendeshin 300 mln euro të sterilizimit të Ramës dhe Beqajt, gjendeshin 300 mln euro të Vilma Nushit që i ndan me Ramën, gjendeshin 4 mld euro të Ramës dhe Alabbar. Kjo është shpella e krimit të organizuar në Shqipëri, organizata më e rrezikshme kriminale në Shqipëri dhe Europë.
Çfarë akuze ju komunikoi? Je zyrtarisht i pandehur?
Berisha: I pandehur, atë akuzë që kam patur (korrupsion pasiv). Asgjë tjetër përveçse 500 faqe mashtrime, mashtrime. Më ka korruptuar dhëndri im.
Asgjë nuk ndryshon, është vazhdim i një hakmarrje politike. Zbatimi i një urdhri mafioz politik dhe për mua kjo nuk ndryshon asgjë. Ajo që është themelore, është që nuk ekziston asnjë provë, asnjë fakt dokument, që të dëshmojë që në gjithë këtë proces ka ndodhur shkelja më e vogël e ligjit. Është zbatuar ligji dhe vetëm ligji. Nuk ka asnjë firmë të Sali Berishës në kthimin, kompensimin.
Masa arrest në shtëpi do iu pengojë për fushatën zgjedhore?
Berisha: I gjithë qëllimi i kësaj është t’i kapim kokën PD. U garantoj shqiptarëve se Rama do të përgjigjet për këtë, u garantoj demokratëve se shumë shpejt do ta lëshojmë me atë që ai ka aq qef, në tokë.
Tashmë që çështja do të kalojë në gjykatë, do paraqiteni në Gjykatë?
Berisha: Unë jam paraqitur, është hera e dytë. Problemi im është këtu, se jam vënë në hetim 3 vjet pa u thirri njëherë. Sapo më kanë thirrur kam ardhur. Masat u vendosën pa më thirrur, pa më pyetur, në kundërshtim me Kushtetutën, pa më pyetur.
Do jeni ju kandidati për kryeministër i PD?
Berisha: Unë kam dhënë një përkufizim, pas fitores së zgjedhjeve do ketë garë për kandidatin për kryeministër. Cilido të vijë ta sfidojë Berishën, por padiskuim drejt fitores.
Përgjatë fjalës përpara militantëve të tij, ai u shpreh se atje ndër të tjera pa që Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku i kishte dosjet palë- palë.
“Ju ftojmë që të vazhdojmë këtë betejë si betejë të fitores. Duhet ta dinë se sot ata janë të vetmit vendimmarrës vlera morale më eprore e kombit shqiptar, se sot ata janë e drejta dhe shpresa e një kombi. Miqtë e mi, çfarë gjeta unë këtu, këtu gjeta Edi Ramën, gjeta Linda Ramën tek ndërhynte për tenderat e kunatit të vet, gjeta Olsi Ramën si kryesori i grupit të Xibrakës, por edhe udhëheqësin Armand Josifin. Gjeta kanionin e Gjipesë të grabitur nga Edi Rama, gjeta Taulant Ballën teksa merrte nga Sokol Çela 1 milionë euro për shpëtimin e dy vrasësve në Shkodër që i vunë dinamitin Lulzim Kullës, gjeta edhe edhe ata që kishin planifikuar që të vrisnin një politikan afër Edi Ramës për të liruar hapëisrë për ta. Gjeta Ballukun që i kishte dosjet palë- palë që u vjedh shqiptarëve 90 për qind të rrugëve, gjeta të shpërfytyruar Erion Veliajn”, tha ai.
Kjo është hera e parë që një ish-president dhe ish-kryeministër merret zyrtarisht i pandehur nga SPAK. Akuza do t’i komunikohet edhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi i cili në SPAK do të mbërrijë në orën 14:00.
Berisha prej dhjetorit 2023 në arrest shtëpie
Prej 30 dhjetorit 2023 Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK. Ish kryeministri Berisha, nën hetim nga SPAK akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv Partizani, mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla.
Ndërkohë, Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, pasi ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij, Berisha.
Përplasja me Gjyqtaren Irena Gjoka
Ish kryeministri Berisha nëpërmjet avokatëve të tij, por edhe sulmeve direkte, ka kërkuar shpesh herë përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila i caktoi atij arrest shtëpie.
Berisha dhe mbrojtësit e tij kanë ngritur padi ne SPAK ndaj gjyqtares Irena Gjoka për shperdorim detyre. Sipas Berishes gjyqtarja Irena Gjoka ka dhënë nëe vendim në kundershtim me Kushtetutën.
Gjithashtu Gjoka akuzohet për dy falsifikime, atë të vizës dhe vetëdeklarimit, ku sipas avokatëve të Berishës, që në momentet që ka hyrë në Gjykatën e Posaçme, Gjoka nuk ka pasur kushtet për të qenë gjyqtare, por sërish vijon e jep vendime jo vetëm për liderin e opozitës, por për të gjitha çështjet që opozita ka në gjykatë.