Vendosni fjalën kyçe....

Shkollat 9-vjeçare e nisin vitin me 125 mijë fëmijë më pak se një dekadë më parë


Ritmet e rënies së nxënëseve në shkolla po përshpejtohen nga viti në vit sipas të dhënave zyrtare.

Në vitin shkollor 2024-2025 rreth 238 mijë fëmijë do ndjekin arsimin në sistemin publik 9-vjeçar sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit.

Sipas INSTAT në këtë nivel arsimi në vitin shkollor 2023-2024 ishin të regjistruar 258 mijë nxënës në arsimin 9 vjeçar. Nisur nga këto të dhëna numri i nxënësve në shkollat 9-vjecare në këtë vit të ri shkollor është 7.8 % më pak se viti i kaluar, ose 20 mijë nxënës më pak.

Ritmet e rënies së në nxënësve në arsimin 9-vjecar janë shumë më të larta se vitin e kaluar ku tkurrja ishte 3.4%.

Nga viti 2014 në vitin 2024 numri i fëmijëve në ciklin 9- vjeçar ka pësuar rënie me 34.5%, ose 125 mijë më pak.

Në vitet në vijim tkurrja e nxënësve do të jetë më e lartë si rrjedhoje e rënies së fortë të lindjeve dhe normave ende të larta të emigracionit ne moshat e reja.

Sipas të dhënave nga cens 2023 këtë vit hyjnë në klasën e parë jo më shumë se 24 mijë fëmijë në të gjithë vendin.

Si rrjedhojë e rënies së nxënësve një numër i madh shkollash po mbyllen vit pas viti. Nga viti shkollor 2012-2013 në vitin shkollor 2021-2022 janë mbyllur 295 shkolla të arsimit 9-vjeçar në të gjithë vendin duke e çuar numrin total të tyre në 1051 nga 1346 që ishte në vitin 2013.

Mbyllja e shkollave ka ardhur në raport të drejtë me rënien e nxënësve, pasi nga 2011 më 2023, INSTAT referon se numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar ka shënuar tkurrje me rreth 30%. Zonat rurale kryesojnë me mbylljen e shkollave, pasi numri i fëmijëve është pakësuar ndjeshëm.

Që nga viti 2000 janë mbyllur 42% e shkollave 8-9-vjeçare në rang vendi. Arsimi bazë nga klasa e parë deri në të nëntën me kohë të plotë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët që janë nga mosha 6 vjeç deri në moshën 16 vjeç, me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj.

Numri i të rinjve në vend po ulet me shpejtësi. Kur u zhvillua censi 2011, në të gjithë vendin u numëruan 268,756 të rinj të grup-moshës 15-19 vjeç, por në censin 2023, numri i tyre u përgjysmua me vetëm 142,943 persona, me rënie 47%.

Kjo grup-moshë kishte rënien më të madhe në periudhën ndërmjet censeve si në numër dhe në përqindje. Popullsia e përgjithshme pësoi rënie me 14.8%, ndërsa në grup moshat e reja, ky raport ishte më shumë se dy herë më i lartë./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor