Një tjetër temë e “nxehtë” diskutimet ka qenë ajo për Aktin Normativ të Urdhrit të Mjekëve ku po bëhen disa ndryshime nga ministria e linjës dhe qeveria, për më tepër pas skandalit të Spitali Onkologjik, korrupsioni i mjekëve me të sëmurët me kancer.
Kjo ka shkaktuar debate të forta politike dhe jo vetëm. Pasi marrja e Komisioneve Disiplinore në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë ka sjellë edhe pakënaqësi nga Urdhri i Mjekut.
Sot përfaqësues të tij u dëgjuan në seancën e Komisionit Parlamentar, të përfaqësuar nga kryetari Fatmir Brahimaj, që theksoi se nuk ishin lajmëruar për këto ndryshime dhe nuk u bënë palë diskutimi.
I ashpër ka qenë deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu në lidhje me ndryshimet e propozuara në ligjin për Urdhrin e Mjekut, duke e quajtur ndërhyrje të paligjshme dhe antikushtetuese të qeverisë.
Debati u zhvillua sot (9 Shtator) në Komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, në seancën dëgjimore me përfaqësues të Urdhrit të Mjekut, lidhur me Aktin normativ nr. 2 datë 1.8.2024, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.123/2014, “Për urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë”.
“Merret guximi të goditet një institucion si Urdhri i Mjekut. Shteti po fut duart si hajdut, sepse ka frikë nga institucionet e pavarura. Po godasin edhe këtë. Pse? Sepse e ndjejnë se janë të pavarur, profesionistë dhe i kanë frikë”, tha Shehu.
Ai kujtoi ndaj kolegëve se askush nuk i ndalon më në revanshin e tyre ndaj institucioneve dhe e cilësoi Aktin Normativ si ekstrem. Teksa i bëri thirrje mjekëve që të ngriheshin.
“Këtu ka mbaruar gjithçka. Nuk rregullohet më! I bëj thirrjeve kolegëve mjekë që të ngrihen siç u ngritën studentët. Kjo është e paligjshme, antikushtetuese”, tha deputeti demokrat.
Ligjvënësi i opozitës e cilësoi si një shkelje ndërhyrjen te ligji i urdhrit të mjekut, duke shtuar se ai është i pavarur.
“Keni frikën të dilni hapur. Bëni ligje të tjera. Është antikushtetuese. Akti normativ është antikushtetues dhe i paligjshëm. Aktet Normative janë të përkohshëm, kurse ky është i përhershëm. Shkelje të rënda kushtetuese dhe e papranueshme”, tha Shehu.
Gjithashtu kujtoi se orari i kufizuar ndaj mjekëve gjithashtu është shkelje dhe selektiv, pasi duhet të vendosej edhe për shërbime të tjera në shtet si mekanikët, që t’u kufizohet orari i punës shtet-privat.
“E keni bërë si në kohën e Enver Hoxhës, shtetëzoni edhe qymezet. Po shkatërroni sistemin publik dhe kjo do largojë mjekët, do shtojë korrupsionin. Këtë s’e kanë bërë as Italia dhe as Franca”, tha deputeti.
Kurse nënkryetarja e komisionit, Klodiana Spahiu theksoi se nuk ka ndryshime thelbësore në këtë Akt Normativ që prekin urdhrin e mjekut.
“Ndryshon vetëm struktura dhe kriteret e komisionit disiplinor, madje dhe këtë vetë Urdhri do e hartojë. Nuk ka ndryshim të buxhetit apo pikave të tjera. Bëhet fjalë vetëm për një Komision masash”, tha ajo.
Teksa pyeti më tej edhe për rastet kur Urdhri ka ndërhyrë pas ankesave apo çështjeve si ajo e Skandalit të Onkologjikut.
Kreu i Urdhrit të Mjekëve, Fatmir Brahimaj, u shpreh:
“Ajo ishte çështje kriminale dhe jo shkelje e etikes. Nuk mund të ndërhyhej nga ne. Sigurisht ka dhe çështje etike, por në këtë rast ishte vepër penale, aq sa edhe Prokuroria e Tiranës nuk e mori përsipër por e kaloi te SPAK-u. Ne trajtojmë shkelje të lehta etike. Në veprat penale presim vendimin e Gjykatës, ne nuk marrim vendime penale apo t’i trajtojmë”.
Por Spahiu i kujtoi disa pika të ligjit dhe nenet e Urdhrit të Mjekut, ku një prej tyre, pika 17, ishte edhe heqja e licencës së mjekut për rastet me shkelje të rënda.
Por Brahimaj tha se Urdhri është për rastet etike të lehta, pasi të tjerat duhet pritur vendimi i Gjykatës. Pra urdhri merrte masa disiplinore si vërejtjet apo pezullimet.
