Vendosni fjalën kyçe....

Paralajmërimi i Hillary Clinton: Fitorja e Trump do ishte ‘fundi i Ukrainës’ dhe demokracisë


Nëse ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, rizgjidhet në vitin 2024, do ishte rënia e Ukrainës dhe e demokracisë në Amerikë, paralajmëroi të shtunën ish-kandidatja presidenciale demokrate, Hillary Clinton.

Duke folur për Financial Times, Clinton, e cila shërbeu si Sekretare  Shteti nën presidentin Barack Obama dhe humbi ndaj Trump në zgjedhjet e vitit 2016, tha se nuk beson që ish-rivali i saj do jetë i suksesshëm këtë herë.

Megjithatë, ajo pretendoi se nëse Trump fiton në vitin 2024, do jetë ‘fundi i demokracisë në Shtetet e Bashkuara’ dhe ‘fundi i Ukrainës’, pasi ai do tërheqë vendin nga NATO.

Clinton vazhdoi të thoshte se presidenti rus Vladimir Putin besonte se Trump do e bënte këtë nëse do i kishte fituar zgjedhjet e vitit 2020.

Clinton tha se ajo dikur besonte se Kina po përgatitej të ‘niste një lëvizje kundër Tajvanit’ brenda pak vitesh, por konflikti në Ukrainë e shkurajoi Pekinin që të përpiqej të rimarrë ishullin, të cilin e konsideron si pjesë të territorit të tij sovran.

Ajo vazhdoi duke adresuar shqetësimet e përhapura se presidenti aktual, Joe Biden, 80 vjeç, i cili konfirmoi se do kandidonte përsëri në fund të prillit, është shumë i vjetër për këtë detyrë. Ndërsa pranoi se mosha është ‘një problem’, ajo u kërkoi votuesve ta krahasojnë atë me njeriun kundër të cilit ai kandidon.

Trump, i cili njoftoi nëntorin e kaluar se do të kandidonte sërish në vitin 2024, ka qenë kritik ndaj qasjes së Biden ndaj konfliktit të Ukrainës. Në janar, ai pretendoi se presidenti ‘po na shtyn sistematikisht, por ndoshta pa vetëdije, drejt asaj që së shpejti mund të jetë Lufta e Tretë Botërore’.