Vendosni fjalën kyçe....

Ministria serbe e Mbrojtjes kundër kërkesës për anulimin e stërvitjes së përbashkët ushtarake me SHBA-në dhe aleatët


Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi më 10 prill se stërvitja ushtarake ndërkombëtare “Ujku i Platinit”, në të cilën marrin pjesë edhe anëtarë të aleancës së NATO-s, nuk është precedent, por vazhdimësi e bashkëpunimit ndërkombëtar, nga i cili përfiton ushtria serbe dhe kontribuon në përmirësimin e aftësive të saj operuese.

Theksojmë se interpretimet e deputetit (të lëvizjes së djathtë Dveri, Borko) Pushkiç në lidhje me gjoja braktisjen e politikës së neutralitetit ushtarak në kuadër të stërvitjes ‘Ujku i Platinit’, si dhe aktivitete të tjera ndërkombëtare të kryera nga Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria Serbe me partnerë të huaj, nuk janë as të sakta dhe as adekuate”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Më herët, ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, ka njoftuar më 4 prill se stërvitja “Ujku i Platinit” do të mbahet në jug të Serbisë, në mes të qershorit, në të cilën do të marrin pjesë ushtritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Serbisë dhe dhjetë vendeve partnere.

Më 10 prill, lëvizja e djathtë Dveri i bëri thirrje ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviç, të anulojë stërvitjen e paralajmëruar ushtarake ndërkombëtare.

Deputeti i asaj lëvizjeje dhe anëtari i Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme, Borko Pushkiq, u tha gazetarëve para ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes se vendimi për mbajtjen e saj ishte “jokushtetues” dhe “i paligjshëm”, pa dhënë shpjegime specifike.

Dveri, një lëvizje parlamentare në Serbi, angazhohet për marrëdhënie të ngushta midis Serbisë dhe Rusisë.

Në një deklaratë të datës 10 prill, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë hodhi poshtë pretendimet e Pushkiqit dhe ritheksoi se konkluzioni i Qeverisë së Republikës së Serbisë, të 16 marsit të vitit 2023, miratoi zbatimin e aktivitetit ndërkombëtar, i cili përjashtonte stërvitjen “Ujku i Platinit 23” nga moratoriumi për planifikimin, përgatitjen dhe zbatimin e stërvitjeve me partnerë të huaj brenda dhe jashtë vendit.

Serbia vendosi një moratorium për mbajtjen e stërvitjeve ushtarake me partnerë të huaj në shkurt të vitit 2022, disa ditë pasi Rusia filloi pushtimin e Ukrainës fqinje.

Arsyeja e marrjes së këtij vendimi është përmbushja e obligimeve të Republikës së Serbisë në lidhje me pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Serbisë në operacione shumëkombëshe”, ka thënë Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

Kjo ministri tha gjithashtu se stërvitja ndërkombëtare “Ujku i Platinit” është kryer gjithsej shtatë herë në periudhën 2014-2021.

Stërvitja taktike ndërkombëtare “Ujku i Platinit 23”, thuhet në deklaratë, do të mbahet nga data 16 deri më 30 qershor të vitit 2023 në Republikën e Serbisë, së bashku me disa vende partnere me të cilat Ushtria Serbe merr pjesë në operacione shumëkombëshe.

Siç shpjegohet më tej, qëllimi i stërvitjes është ruajtja e nivelit të arritur të ndërveprimit i njësive të Ushtrisë së Serbisë për pjesëmarrje në operacione shumëkombëshe./REL.