Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: S’kam asnjë llogari bankare apo marrëdhënie biznesi jashtë Shqipërisë, SPAK të gjejë Off Shore-t të inceneratorëve


Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi tha në një deklaratë nga selia e PL se ska asnjë llogari bankare apo marrëdhënie biznesi jashtë Shqipërisë, lidhur me lajmin të publikuar nga TCH, mbi disa llogari bankare dhe pagesa të dyshimta nga kompani offshore të kontrolluara nga biznesmenë rusë, akuza të cilat Kryemadhi i ka mohuar.

Kryemadhi thotë se ka disa burime që i beson se Edi Rama, shoku i ngushtë i planeve ballkanike me Aleksandër Vuçiç, mund të ketë përdorur të njëjtat shërbime të Izraelitit Tal Hanan, për të prodhuar edhe fushatën e shpifjeve kundër emrit të saj.

Ajo vijon se arsyeja e angazhimit nga Edi Rama, të shërbimeve të ngjashme me ato që Tal Hanan ka ofruar në shërbim të Vuçiçit të Serbi, siç e deklaron OCCRP, kanë të bëjnë vetëm me aferën e inerenatorëve që ajo e ka kallëzuar në SPAK.

Kryemadhi i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të hapin hetim e të verifikojnë figurën e saj

 

Deklarata e plotë:

Jam sot në këtë deklaratë për t’ju treguar disa të vërteta.

Projekti Ndërkombëtar për Raportimit e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka nxjerrë një artikull më datë 24 Mars 2023, lidhur me një organizatë shumë të famshme Izraelite, e cila ishte përfshirë në një fushatë baltosjeje kundër kundërshtarit politik të presidentit të Serbisë duke falsifikuar dokumente bankare.

Ja se çfarë thotë artikulli:

“Vuçiç më pas pretendoi se kundërshtari i tij kishte fshehur pasurinë e tij në mënyrë të paligjshme në banka në mbarë botën dhe parashikoi se më shumë detaje do të dilnin së shpejti.

Gjashtë ditë më vonë, gazetat pro-qeveritare serbe filluan të botonin histori rreth llogarive të supozuara të kundërshtarit të Vuçiçit në offshore.

Për dy javë, akuzat për milionat e supozuara të kundërshtarit të Vuçiçit dominuan titujt kryesorë të gazetave.

Gazetarët pohuan se kishin prova se llogaritë ekzistonin, komentuesit u shprehën se kishte pastrim parash dhe evazion fiskal, ndërsa zyrtarët kërcënuan me pasoja.

Dëshmitë e mbledhura nga OCCRP dhe partnerët e saj raportues sugjerojnë se raporti i falsifikuar i bankës është krijuar nga Tal Hanan, një ekspert izraelit i eksplozivëve që shet shërbime dezinformimi.”

Pra është ky grup, që quhet “Team Jorge”, i cili është botërisht i njohur si një falsifikator dhe prodhues dezinformimi për të mbajtur në këmbë autokratët.

“Team Jorge” e liderit Tal Hanan, ka një aktivitet të gjerë në Ballkan dhe Tal Hanan është një emër i njohur edhe për organet e sigurisë të vendeve tona partnere.

Ka disa burime të cilat i besoj, më kanë krijuar bindjen se Edi Rama, shoku i ngushtë i planeve ballkanike me Aleksandër Vuçiç, mund të ketë përdorur të njëjtat shërbime të Izraelitit Tal Hanan, për të prodhuar edhe fushatën e shpifjeve kundër emrit tim, që ka xhiruar në gojën e qeveritarëve dhe mediat e lidhura me ta këto ditët e fundit.

 

Unë dua të sqaroj përpara opinionit publik, se Monika Kryemadhi, nuk ka patur dhe nuk ka asnjë llogari bankare jashtë territorit të Shqipërisë.

Dua t’ju konfirmoj, se nuk kam asnjë marrëdhënie biznesi jashtë territorit të Shqipërisë.

Si dhe nuk kam qenë kurrë aksionere në asnjë kompani private, as brenda, as jashtë vendit, në jetën time.

Arsyeja e angazhimit nga Edi Rama, të shërbimeve të ngjashme me ato që Tal Hanan ka ofruar në shërbim të Vuçiçit të Serbi, siç e deklaron OCCRP, kanë të bëjnë vetëm me një gjë:

 

INCENERATORËT!

Unë si kallëzuese e inceneratorëve, nuk i kthehem pas kallëzimeve të mija, për faktet flagrante të shkeljes së ligjit nga Edi Rama, Erion Veliaj, Armando Subashi, dhe të gjithë zyrtarët e zinxhirit të këtij grupi mafioz.

Për të gjithë shqiptarët, dua ta dini se këto shërbime të dezinformacionit janë të gjitha të financuara nga paratë tuaja.

Ndaj paratë për inceneratorët nuk ndalojnë. Sepse ndaj, Erion Veliaj paguan çdo ditë inceneratorin e Tiranës, që ju e keni parë me video se Aty mbetjet as nuk trajtohen, as nuk digje, por vetëm hidhen kapic në mënyrë primitive.

Sepse, me paratë që Erion Veliaj paguan inceneratorin e Tiranës, blihen media kombëtare brenda vendit dhe kontraktorë të botës së errët që ofrojnë shërbime nga më të dyshimtat.

Megjithatë,

Ju rikujtoj edhe njëherë se, me Artikujt, Mediat, Televizionet që ushqehen me paratë e vjedhura nga shqiptarët, do të shihemi në gjykatë.

Ndërsa për Edi Ramën, të jeni të sigurt se ai e di shumë mirë se cfare e pret.

Ashtu siç i kam përmendur e para në Shqipëri marrëdhënien dhe investigimin e McGonigal, në 15 shtator 2022 në emisionin Opinion, ashtu do të dali e vërteta edhe për Izraelitët e Ramës, me fushatën shumë të dobët të dezinformimit, kundër meje dhe opozitës shqiptare, me anë të së cilës ai kërkon në dëshpërim të shpëtojë veten e tij!

Faleminderit!