Vendosni fjalën kyçe....

Greva për pagën paralizon udhëtimet hekurudhore e ajrore në Gjermani


Trenat, aeroplanët dhe mjetet e lëvizjes publike ndaluan të hënën në pjesën më të madhe të Gjermanisë, ndërsa sindikatat e punëtorëve thirrën një grevë të madhe njëditore mbi pagat, në një përpjekje për të fituar rritje të pagave kundër inflacionit.

Greva 24-orëshe, një nga më të mëdhenjtë në dekada, preku gjithashtu transportin e mallrave me hekurudhë dhe anije, pasi punëtorët në portet dhe rrugët ujore të vendit iu bashkuan grevës.

Shumë udhëtarë zgjodhën të shkonin me makinë në punë, duke shkaktuar disa vonesa në rrugë.

Sindikatat po kërkojnë një rritje pagash prej të paktën 10.5% dhe kanë kundërshtuar ofertat nga punëdhënësit për rritje prej rreth 5% gjatë dy viteve plus pagesat e njëhershme, shkruan AP.

Kompania hekurudhore ‘Deutsche Bahn’ i quajti kërkesat e sindikatës të ekzagjeruara dhe paralajmëroi se miliona udhëtarë do prekeshin.

“Mijëra kompani që normalisht dërgojnë ose marrin mallrat e tyre me hekurudhë gjithashtu do vuajnë,” tha zëdhënësi i Deutsche Bahn, Achim Strauss.

“Mjedisi dhe klima gjithashtu do vuajnë. Fituesit e sotëm janë kompanitë e naftës.”

Biletat e trenit që nuk mund të përdoren për shkak të ndërprerjes do mbeten të vlefshme dhe udhëtarët duhet të kontrollojnë faqen e internetit të kompanisë për përditësime, tha ai.

Janë planifikuar tre ditë bisedime mes dy palëve. Ministrja e Brendshme Nancy Faeser, e cila përfaqëson qeverinë federale në negociata, tha se pala e saj do përfshihej në diskutime në një mënyrë ‘të ashpër, por edhe të drejtë dhe konstruktive’.

Faeser tha se ishte e sigurt se mund të arrihet një zgjidhje e mirë. Grevat e punëtorëve janë një dukuri e rregullt në Gjermani dhe normalisht përfundojnë në një marrëveshje kompromisi midis sindikatave dhe punëdhënësve.