Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj mbledh grupin për 14 majin, deputetët të ndarë, Çupi e Tabaku kërkojnë të dilet vetëm më listë për këshilltarë


Enkelejd Alibeaj ka mbledhur mesditën e sotme grupin parlamentar për të  përmbyllur emrat e kandidatëve me të cilët do përfaqësohet në zgjedhjet e 14 majit.

Gjatë mbledhjes deputetët e pranishëm kanë paraqitur qëndrime të ndryshme.

Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Sajmir Korreshi e Bledjon Nallbati kanë kërkuar që Alibeaj të bëjë çmos për bashkim me grupin e Berishës si dhe të mos kandidojë emra për kryetarë bashkie po vetëm për Këshillat Bashkiakë.

Ndërkohë Orjola Pampuri, Kreshnik Çollaku e Arbi Agalliu kanë kërkuar që të dilet me kandidatë për kryetarë bashkie.

“Së pari ne duhet të mbajmë strukturat unike dhe fakti që kemi mendim po thuajsë gjysmë për gjysmë kemi rrezikun që të ndahemi edhe një here e mund të zvogëlohemi përsëri. Kjo është përgjegjësi direkt e juaja Enkelejd dhe Gaz. Ju duhet të jeni përbashkues. Së dyti kam refuzuar sulmet e foltores si të shitur e të blerë dhe sot refuzoj akuzat këtu që ne që kemi mendim ndryshe të konsiderohemi që shohim interesat tona. Këtë e refuzoj edhe këtu. Më dhemb PD dhe do bëj çmos të rritet PD dhe të bashkohet sa të mundet. Ne kemi optimizmin të dalim me listën e këshillave bashkiak dinjitoze dhe figura dinjitoze dhe të votohemi shumë më shume se partitë e tjera. Ndërkohë nuk duhet te dalim me kandidatura për kryetar bashkie. Dhe këtë e kam për të mirën e PD dhe të bashkimit.” – ka thënë deputetja Çupi.

Ndërkohë Tabaku ka thënë se opozita duhet të dalë më kandidatë unikë për të shmangur betejën mes vetes duke qenë se kundërshtari i vetëm është qeveria e kryeministri Rama.

“Kam të njëjtin qëndrim që kisha në shtator. Opozita duhet të dalë me kandidatë unikë. Nuk duhet në asnjë mënyrë që ne të bëjmë betejë kundër nesh. Ne kemi një kundërshtar, kemi qeverinë dhe asnjë arsye e asnjë justifikim të jemi ne ato që përçajnë votën e opozitës. Ne duhet të mbrojmë logon e PD, të nxjerrim PD si alternativë në këto zgjedhje. Nuk e bëj dot që të kërkoj votën kundër kolegëve të mi. Nuk kam asnjë dyshim që ne për të fituar duhet të jemi bashkë dhe më shumë se kaq.” – tha Tabaku.