Vendosni fjalën kyçe....

Partia e Lirisë: Rama sot duhet t’u kërkonte ndjesë gjithë të rinjve që i detyroi të ikin me gomone për në Britani


Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi nëpërmjet një postimi në facebook, ka reaguar pas vizitës së kryeministrit Edi Rama në Britaninë e Madhe dhe takimit të tij me kryeministrin britanik, Rishi Sunak.

Blushi akuzoi kryeministrin Rama si shkaktar të ikjes së të rinjve, prandaj tha se kryeministri duhet të ulte kokën dhe t’u kërkonte ndjesë të gjithë atyre që kanë rrezikuar jetën për të përfunduar në Angli nga keqqeverisja e tij.

Blushi shton se Shqipëria është vendi i parë në botë për numrin e azilantëve të paligjshëm duke lënë pas vetëm vende, që janë në konflikte civile, vetëm nga politikat e mbrapshta të Ramës.

Sot në Britaninë e Madhe, Edi Rama duhet të ulte kokën dhe t’u kërkonte ndjesë të gjithë të rinjve, që i detyroi të iknin dhe të rrezikonin jetën duke kaluar La Manshin me gomone. Sot ai duhet t’u kërkonte ndjesë prindërve, që me politikat e tij kundër të rinjve, i ndau nga fëmijët e tyre. Edi Rama dhe Qeveria e tij janë shkaktarët kryesorë të humbjes së perspektivës të të rinjve sepse nuk u ka krijuar asnjë mundësi reale për të jetuar në Shqipëri, për t’u punësuar dhe kualifikuar, për t’u ndjerë të sigurt dhe për të krijuar edhe familjet e reja këtu”

 “Edi Rama është përgjegjës për shpopullimin dramatik të Shqipërisë! Asnjë vend tjetër europian nuk ekziston në 10 vendet e para të botes për kërkim azili të paligjshëm. Fatkeqësisht, vetëm për faj të Edi Ramës, këtij shpresëvrasësi të të rinjve shqiptarë, Shqipëria është vendi i parë në botë për numrin e azilantëve të paligjshëm duke lënë pas vetëm vende, që janë në konflikte civile dhe luftëra!”- shkruan Blushi.

Vizita e Ramës në Britaninë e Madhe ditën e sotme është e para zyrtare e një kryeministri shqiptar. Ndërsa gjatë takimit me Sunak, u bë me dije se në fokus ka qenë tema e emigrantëve të paligjshëm shqiptarë që mbërrijnë me gomone në Mbretërinë e Bashkuar si dhe forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe ekonomisë.