Vendosni fjalën kyçe....

KKT leje për hotele e vila në bregdet, ndërtime në Tiranë dhe PPP Thumanë-Kashar


Mbledhja më e fundit e Këshillit Kombëtar të Territorit duket se i ka dhënë një dorë të re ndërtimeve në kryeqytet për shërbime e banim dhe në bregdet për vila e hotele.

Shumica e vendimeve të miratuara kanë në fokus pikërisht projekte të kësaj natyre por në totalin e 39 pikave nuk mungojnë as leje për infrastrukturë apo objekte të lidhura me institucionet publike.

Kështu sa i takon Tiranës KKT miratoi ndër të tjera një leje ndërtimi për “Godinë multifunksionale, shërbim, hoteleri dhe banim”, me vendndodhje në Rrugën e Barrikadave, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Nova Construction – 2012” sh.p.k.

Po kështu një tjetër për bllok banimi dhe shërbime, me vendndodhje në Rrugën “Xhanfize Keko”, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Anchor Invetment” sh.p.k.

Në Bulevardin e Ri është miratuar leja e zhvillimit për strukturë shërbimi e banimi me subjekt zhvillues shoqërinë “Comfort Development” sh.p.k ka kaluar një lejë për objekt banimi dhe shërbimesh”.

Në sy bie edhe një ndryshim në lejen e zhvillimit për objektin: “Zgjerim i kapaciteteve akomoduese e shërbimeve të Hotel Tirana International me shtesë anësore dhe kullë me destinacion Hotel dhe qendër multifunksionale tregtare e shërbimesh”, Bashkia Tiranë”, me subjekt zhvillues shoqëritë “Geci”sh.p.k dhe “Aner”sh.p.k.

Ndryshimet në objektin pas 15-katëshit nuk janë të qarta dhe do të duhet të zbardhet vendimi për të parë detajet.

Sakaq në bregdet janë miratuar një sërë lejesh të tjera herë zhvillimi e herë ndërtimi sipas fazës ku ndodhet projekti ndërkohë që ka edhe ndryshime në leje ekzistuese. Në total janë 13 vendime të lidhura me projekte të ndryshme kryesisht në Jug të vendit.

KKT ka kaluar një leje zhvillimi për një hotel në Nartë, një tjetër në Himarë. Po kështu në Jal u miratua leje e ndërtimit për VIP Hotel dhe në Himarë godinë shërbimi dhe banimi me “Vala rezidencë”.

Në vendimin 27 KKT miratoi leje për rishikimin e kushteve gjatë ndërtimit për objektin: “Drymades Villas”, me vendndodhje në Dhërmi, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Gjikuria” sh.p.k dhe shoqërinë “Golden Key” sh.p.k. Ndërsa një tjetër vendim ishte ai për një ndryshim të Lejes së Zhvillimit për objektin: “Strukturë hotelerie dhe shërbimi”, me vendndodhje në Gjilekë, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Rinia – 04” sh.p.k.

Në Bashkinë Sarandë kanë kaluar gjithashtu disa vendime për objekt turistik shërbime dhe shtëpi të dyta dhe hotele.

Në infrastrukturë veçohet leja e ndërtimit për koncesionin Thumanë-Vorë-Kashar e cila së fundmi është përfshirë edhe nga përplasjet me banorët që preken nga projekti.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor