Vendosni fjalën kyçe....

Demonstruesit pro emigracionit në Britani u ndërprenë nga ekstremistët e djathtë, policia formoi mur mes tyre


Përleshjet shpërthyen në Staffordshire, në Britani të shtunën, pasi një demonstratë pro emigracionit u ndërpre nga një grup i ekstremit të djathtë, sipas AA.

Grupi Cannock Chase Welcomes Refugees u mblodh në qendrën e qytetit Cannock të shtunën në mëngjes.

Shumë grupe të tjera si Stand Up To Racism dhe sindikata si RMT si dhe njerëzit vendas e mbështetën demonstratën.

Duke mbajtur pankarta që shkruanin: “Refugjatët e mirëpritur”, “Stop Ruandës”, “Bëhu njerëzor” dhe “Kundërshto ndalimin në det të hapur”, grupi brohoi slogane pro emigracionit.

Gjatë një fjalimi, Carl Brown nga Stand Up To Racism tha se ata që qëndrojnë në anën e kundërt të sheshit janë “supremacistë të bardhë dhe neo-nazistë, të cilët janë trimëruar nga retorika e rrezikshme e qeverisë”.

Ai tha se ata janë dhe duhet të jenë të zemëruar për atë që po ndodh me emigracionin. “Zemërimi ynë shkon krah për krah me shpresën. Shpresa për një botë më të mirë, shpresa për një botë më të dhembshur, shpresë për drejtësi dhe barazi për të gjithë.”

Një orë më vonë, anëtarët e Alternativës Patriotike të ekstremit të djathtë mbërritën në vendngjarje dhe nisën protestën e saj kundër emigracionit në anën e kundërt të qendrës së qytetit.

Policia formoi një mur midis grupeve kundërshtare ndërsa ata ngrinin parulla. Megjithatë, përleshjet shpërthyen kur disa anëtarë të grupit Alternativa Patriotike u përpoqën të shkelin vijën e policisë.

Policia ndërhyri për të prishur përplasjen dhe shtoi dislokimin e njësive.

Grupi i ekstremit të djathtë mbante pankarta ku shkruhej: “Fund pushtimit, ndal emigracionin” dhe brohoritnin slogane kundër emigracionit, ndërsa pretendonin se ata nuk janë kundër refugjatëve, por migrantëve të paligjshëm.

Një tjetër pankartë e grupit shkruan: “Nuk ka vende të lira, Britania është plot”.

Më parë, ka pasur një konfrontim të ngjashëm në Cannock, ku dy hotele strehojnë azilkërkues të pashoqëruar.

Të dyja palët filluan t’i bëjnë thirrje njerëzve që t’i bashkohen protestave të tyre ditë më parë në rrjetet sociale, duke iu referuar trazirave të mëparshme.

Në fillim të kësaj jave, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar prezantoi një projekt-ligj në parlament për të ndaluar azilkërkuesit të kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla.

Nëse miratohet, legjislacioni do të mundësonte ndalimin e njerëzve për 28 ditët e para pas mbërritjes.

Qeveria po shqyrton gjithashtu një plan për të dërguar azilkërkues në Ruandë ndërsa kërkesa e tyre është duke u vlerësuar.