Vendosni fjalën kyçe....

Udhëheqësi i diskutueshëm i grushtit të shtetit, drejtoi vendin me dorë të hekurt – Kush ishte ish-presidenti pakistanez Pervez Musharraf


Gjenerali Pervez Musharraf, ish-presidenti i diskutueshëm pakistanez i cili erdhi në pushtet me një grusht shteti pa gjak dhe udhëhoqi vendin e tij gjatë fazave të hershme të ‘luftës kundër terrorit’ të Uashingtonit, ndërroi jetë në Dubai në moshën 79-vjeçare të dielën.

Ai vuante nga amiloidoza, një gjendje e rrallë e pashërueshme e lidhur me grumbullimin e proteinave në organe dhe inde. Ish-udhëheqësi kishte jetuar në mërgim të vetëimponuar në Emiratet e Bashkuara Arabe që nga viti 2016, ndërsa u shmang akuzave për vrasje politike dhe tradhti në vendin e tij.

I lindur nga prindër myslimanë që flisnin gjuhën urdu në 1943 në Delhi, Musharraf dhe familja e tij u shpërngulën në Karaçi pas ndarjes së Indisë dhe Pakistanit. Në moshë të re, ai u bashkua me ushtrinë dhe luftoi në luftën e vitit 1965 kundër Indisë.

Pasi u ngrit në grada, ai u emërua shef i Shtabit të Ushtrisë në tetor 1998 nga kryeministri i atëhershëm Nawaz Sharif.

Mandati i Musharraf si udhëheqës ushtarak u provua një vit më vonë, kur ushtria indiane zmbrapsi një inkursion pakistanez në distriktin Kargil të Kashmirit të diskutueshëm. Sipas kujtimeve të Musharrafit të vitit 2006, disfata i tensionoi marrëdhëniet e tij me kryeministrin, pasi ai dhe Sharif fajësuan njëri-tjetrin për dështimin.

Më 12 tetor 1999, Gjenerali rrëzoi qeverinë disa orë pasi Sharif urdhëroi shkarkimin e tij. Në fjalimin e tij të parë drejtuar kombit pas marrjes së pushtetit, Musharraf deklaroi se forcat e armatosura ishin ‘institucioni i fundit i qëndrueshëm’ që mund të siguronte qëndrueshmëri e bashkim në vend.

Musharraf qeverisi Pakistanin për gati dhjetë vjet, duke shërbyer njëkohësisht si president dhe shef i ushtrisë. Ai mbështeti pushtimin e vitit 2001 të udhëhequr nga SHBA-ja në Afganistanin fqinj, duke u bërë aleati kryesor i Uashingtonit në rajon. Vite më vonë, ai argumentoi se pushtimi ishte i pashmangshëm dhe se bashkimi me kauzën e Uashingtonit i shërbente interesave të vendit të tij.

Perëndimi, nga ana tjetër, mbështeti qeverinë e Musharraf-it, pavarësisht se kundërshtarët e tij e etiketonin atë si diktator. Uashingtoni i dha Pakistanit gati 12 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe ekonomike gjatë sundimit të Musharrafit, me 6 miliardë dollarë për ushtrinë.

Vetë Musharraf u akuzua për keqpërdorim të fondeve perëndimore dhe mbajtjen e lidhjeve me grupet islamike. Ai i mohoi këto akuza, duke këmbëngulur se Pakistani kishte qenë viktimë e terrorizmit, jo mbështetës.

Gjatë dhe pas kohës së tij në detyrë, Musharraf u shpëtoi disa përpjekjeve për ta vrarë. Në vitin 2003, një bombë shpërtheu një urë disa minuta pasi autokolona e tij e kaloi atë. Pak më shumë se një javë më vonë, dy kamionë të ngarkuar me eksploziv përplasën kolonën e tij. Në vitin 2014, një bombë shpërtheu në një rrugë ku ai do udhëtonte.

Në vend, sundimi i Musharrafit pa rritje ekonomike dhe rritje të investimeve. Si president, ai rriti shpenzimet për arsimin dhe luftoi për të rritur shkallën e shkrim-leximit. Pavarësisht protestave nga konservatorët fetarë, ai miratoi një ligj që kërkonte të mbronte më mirë gratë kundër përdhunimit.

Opozita e akuzoi vazhdimisht Musharrafin për abuzime të të drejtave të njeriut dhe manipulim votash. Në vitin 2007, ai shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, duke pezulluar Kushtetutën, duke spastruar gjyqësorin dhe duke goditur median. Megjithëse gjendja e jashtëzakonshme u hoq një muaj më vonë pas presionit nga SHBA-ja, ajo dëmtoi ndjeshëm reputacionin e Musharrafit dhe përfundimisht çoi në rënien e tij.

Ai humbi zgjedhjet parlamentare vitin e ardhshëm dhe dha dorëheqjen nën kërcënimin e shkarkimit në gusht 2008. Musharraf shkoi në mërgim të vetëimponuar në Londër. Në vitin 2010, ai kërkoi falje për marrjen e ‘vendimeve të gabuara’ në të kaluarën.

“Kam mësuar mësimet e mia dhe jam shumë i sigurt se nuk do t’i përsëris më.” – tha ai.

Musharraf u kthye në Pakistan në vitin 2013 në përpjekje për të kandiduar për një mandat tjetër.

Musharraf kërkoi një tjetër falje, por gjithashtu mbrojti veprimet e tij.

“Çfarëdo që bëra, e bëra për vendin. Mund të ishte e gabuar, por nuk kishte asnjë qëllim të keq në të.”

Në vitin 2013, Musharraf u akuzua për komplot për të vrarë lideren e opozitës Benazir Bhutto, e cila u vra në një sulm vetëvrasës me bombë në vitin 2007. Musharraf mohoi akuzat dhe fajësoi talebanët.

Në vitin 2017, dhjetë vjet pas vdekjes së Bhutto-s, Noor Wali Mehsud, udhëheqësi i talebanëve pakistanezë, thuhet se pranoi në një libër se militantët ishin të përfshirë në atentat, shkruan RT.

Në vitin 2014, Musharraf u akuzua gjithashtu për tradhti për pezullimin e Kushtetutës në vitin 2007. Ish-presidenti këmbënguli se akuzat kundër tij ishin të motivuara politikisht. Pasi jetoi tre vjet nën një ndalim udhëtimi, në vitin 2016, ai u lejua të fluturonte në Dubai për trajtim mjekësor dhe që atëherë nuk ishte kthyer më.

Në vitin 2019, Gjykata e Lartë e vendit e dënoi atë me vdekje në mungesë për shkeljen e Kushtetutës, duke shkaktuar reagime nga zyrtarët ushtarakë.

“Një ish-shef i ushtrisë, kryetar i komitetit të përbashkët të shtabit dhe president i Pakistanit, i cili i ka shërbyer vendit për më shumë se 40 vjet, ka luftuar për mbrojtjen e vendit me siguri kurrë nuk mund të jetë tradhtar.”, tha asokohe ISPR, krahu mediatik i Forcave të Armatosura të Pakistanit.

Në një adresë video nga shtrati spitalor, Musharraf e quajti çështjen kundër tij ‘absolutisht të pabazë’.

Ai apeloi dënimin me vdekje, i cili u anulua në vitin 2020. Një trup gjykues prej tre gjyqtarësh në qytetin e Lahore vendosi se prokuroria kishte shkelur Kushtetutën në veprimet e saj.