Vendosni fjalën kyçe....

Macron i telefonon Putinit me kërkesë të Zelenskyt – Parisi


Thirrjet telefonike të presidentit francez Emmanuel Macron me homologun e tij rus, Vladimir Putin, u zhvilluan kryesisht ‘me kërkesë të Presidentit Zelensky’ të Ukrainës, tha të shtunën një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme franceze.

Zelensky ka deklaruar publikisht se nuk do flasë kurrë personalisht me Putinin dhe i ka bërë të paligjshme bisedimet e paqes me liderin rus.

“Presidenti Macron e thërret Presidentin Putin kryesisht me kërkesë të Presidentit Vladimir Zelensky dhe gjithmonë në bashkërendim me aleatët tanë për të mbajtur një kanal për dialog.” – tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Anne-Claire Legendre gjatë një interviste për RTVI.

Kievi nuk e ka pranuar kurrë që Zelensky i shtyn mbështetësit e tij perëndimorë që të flasin me Putinin dhe vetë lideri ukrainas nënshkroi një dekret në tetor që ndalon negociatat me Moskën, nëse ‘një president tjetër i Rusisë’ nuk zëvendëson shefin e tanishëm të Kremlinit.

Me negociatat zyrtarisht jashtë tryezës, Zelensky është zotuar vazhdimisht se do përdorë forcën për të kapur territorin e pushtuar nga Rusia, përfshirë Krimenë.