Vendosni fjalën kyçe....

Brexit i kushton Britanisë së Madhe mbi 124 miliardë dollarë në vit – Analistët


Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar po vazhdon të humbasë miliarda në vit pas Brexit, sipas një analize nga Bloomberg Economics të publikuar të martën.

Raporti thekson se ekonomia britanike është aktualisht 4% më e vogël se sa mund të kishte qenë nëse vendi do qëndronte brenda bllokut dhe ka humbur afërsisht 100 miliardë stërlina (124 miliardë dollarë) në vit pas daljes së saj nga BE-ja në 2020.

“A ka kryer Britania e Madhe një akt të vetëdëmtimit ekonomik kur votoi për t’u larguar nga BE në 2016? Provat e deritanishme ende sugjerojnë se po. Çështja kryesore është se këputja nga tregu i vetëm mund të ketë ndikuar në ekonominë britanike më shpejt sesa ne, ose shumica e parashikuesve të tjerë, prisnim.” – tha ekonomistja Ana Andrade, e cila ishte bashkëautore e raportit me Dan Hanson.

Analistët thonë se paraqitja ekonomike e Mbretërisë së Bashkuar filloi të ndryshonte nga ajo e pjesës tjetër të vendeve të G7-ës pas referendumit të Brexit të vitit 2016.

Ata thonë se kjo është shkaktuar nga rënia e investimeve të biznesit pasi kompanitë kanë qenë shumë të kujdesshme me shpenzimet për shkak të pasigurisë për të ardhmen e tyre jashtë tregut të përbashkët. Sipas llogaritjeve, investimi i biznesit në Mbretërinë e Bashkuar qëndron tani në rreth 9% të PBB-së kundrejt mesatares së G7-ës prej 13%.

Ekonomistët gjithashtu fajësojnë Brexit për mungesën e punëtorëve, gjë që ndikon gjithashtu në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar. Ata vlerësojnë se aktualisht ka 370,000 punëtorë më pak të BE-së në vend sesa mund të kishte nëse Britania nuk do largohej nga blloku.

“Mungesa e fuqisë punëtore shton presionin inflacioniste në terma afatshkurtër dhe kufizon rritjen e mundshme më tej.” – shkruajnë ekonomistët.

Deri tani, ndikimi i Brexit në tregti ka qenë më pak i rëndësishëm, thanë ekonomistët, por paralajmëruan se ‘në një afat më të gjatë, ne do prisnim që tregtia të mbante peshën kryesore të ndikimit të largimit nga tregu i vetëm’.