Vendosni fjalën kyçe....

Operacioni ‘Fijet’, hiqen në Elbasan 35 kamera, nën hetim 5 persona


Pas aksionit të nisur më 25 janar në Shkodër e të shtrirë në qytetet kryesore të vendit, sot policia ka çmontuar 37 kamera të paligjshme në Elbasan, Gramsh e Peqintë.

Ato ishin vendosur në mjedise publike e dyshohet se janë përdorur nga grupet kriminale për të mbikëqyrur policinë ose grupet rivale.

Kamerat ishin vendosur në disa nga rrugët kryesore të qytetit ndërsa lidhur me operacionin janë vënë nën hetim 5 persona.

Që prej nisjes së operacionit rreth një javë më parë janë çmontuar në mbarë vendin mbi 350 kamera ndërsa mbi 60 persona janë vënë nën hetim.

Kamerat në fjalë funksionojnë pa kabëll dhe mund të komandohen nga telefoni cellular. Ndërkohë serverat e tyre dyshohet se janë jashtë vendit dhe nuk janë sekuestruar ende.

Njoftimi

“Finalizohet në qarkun e Elbasanit, faza e dhjetë kombëtare e planit operacional të koduar “Fijet”, të iniciuar nga DPPSH.

Deri më tani, në këtë qark, janë çmontuar 37 kamera dhe janë iniciuar hetimet e thelluara për 10 shtetas për vendosjen e këtyre kamerave, në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Strukturat hetimore të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatet e Policise në varësi të saj, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si edhe mbështetur nga inteligjenca informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave në qytetet e Elbasanit, Gramshit dhe Peqinit, me qëllim sigurimin e informacioneve, për qëllime kriminale, si edhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të këtyre kamerave, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.

-Gjatë fazës së dhjetë kombëtare, të këtij plani operacional, në Elbasan, në lagjet “5 Maji”, “Sul Paprri”, “Syrja Dylgjeri” dhe “Çlirimi”, u çmontuan 28 kamera dhe u iniciuan hetimet e thelluara, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, për 5 shtetas, konkretisht për: D. Rr., I. B., H. B., K. Xh. dhe A. I.

-Plani operacional ka vijuar në Gramsh, ku u çmontuan dhe u sekuestruan 4 kamera të vëna në kundërshtim me ligjin, dhe u iniciuan hetimet për shtetasit: R. D., S. Xh. dhe A. Ç., si dhe në qytetin e Peqinit, ku u çmontuan 5 kamera dhe u iniciuan hetimet për shtetasit H. Z. dhe E. Xh.

Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me ligjin 9887, të datës 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan,vijon puna intensive për identifikimin e shtetasve që kanë instaluar këto kamera, si dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së tyre.”