Vendosni fjalën kyçe....

Blinken rikonfirmon mbështetjen për zgjidhjen me dy shtete mes Izraelit dhe Palestinës


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken mbërriti sot në Tel Aviv në një kohë kur dhuna mes Izraelit dhe palestinezëve është më e rënda prej vitesh.

Para se të mbërrinte në Izrael, zoti Blinken tha se Uashingtoni ka besim të palëkundur tek një zgjidhje e negociuar me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve.

Ai u zotua që të nxisë të dyja palët, në kryeqytetin izraelit dhe në Bregun Perëndimor, që të ulin tensionet që nga fillimi i vitit kanë marrë jetën e dhjetëra njerëzve, përcjell VOA.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i kërkoi Izraelit dhe palestinezëve të ulin tensionet në fillim të vizitës. Ai paralajmëroi gjithashtu kundër çdo nxitjeje për gjakderdhje të mëtejshme.

“Është përgjegjësi e të gjithëve që të ndërmarrin hapa për të qetësuar tensionet dhe jo për t’i ndezur ato. Unë do ta bëj të qartë këtë gjatë gjithë vizitës në Izrael dhe Bregun Perëndimor me të gjithë ata që takoj”, tha Sekretari amerikan i Shtetit me të arritur në Izrael.

Para se të shkonte në Tel Aviv, Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken u tha gazetarëve në Kajro se “Uashingtoni ka besim të palëkundur në zgjidhjen e negociuar me dy shtete si e vetmja rrugë për një zgjidhje të qendrueshme për konfliktit”.

Qeveria e re e vijës së ashpër e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu përfshin partnerë që kundërshtojnë shtetësinë palestineze. Në anën tjetër kontrolli mbi territoret palestineze është i ndarë mes partisë së presidentit Mahmud Abas, i cili përkrah zgjidhjen e arritur përmes bisedimeve, dhe islamistëve rivalë të Hamasit, të cilët janë betuar për shkatërrimin e Izraelit.

Nga 1 janari, të paktën 35 palestinezë, të armatosur dhe civilë, janë vrarë në aksionet pothuajse ditore nga ushtria izraelite, sipas ministrisë së shëndetësisë në Ramallah, duke e bërë këtë muaj më të përgjakshmin në Bregun Perëndimor nga viti 2015.

Izraeli është në gatishmëri të lartë pasi një palestinez hapi zjarr në një rrugë pranë një sinagoge të premten, duke vrarë shtatë persona në sulmin më të rëndë të tillë në Jeruzalem për më shumë se një dekadë. Kjo pasoi një bastisje izraelite në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor të enjten, ku u vranë 10 palestinezë, kryesisht persona të armatosur.

“Të marrësh një jetë të pafajshme në një akt terrorizmi është gjithmonë një krim i urryer. Por të vësh në shënjestës njerëz pranë vendeve të tyre të shenjta është veçanërisht tronditëse. Pra, sulmi i së premtes ishte më shumë se një sulm ndaj individëve. Ishte gjithashtu një sulm ndaj të drejtës universale të kryerjes së riteve fetare. Ne e dënojmë atë në formën më të ashpër”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken pas arritjes në Tel Aviv.

Raundi i fundit i bisedimeve të organizuara nga SHBA-të për themelimin e një shteti palestinez përkrah Izraelit ka ngecur që nga viti 2014.