Vendosni fjalën kyçe....

Autoriteti i Konkurrencës: Çmimet e fiksuara nga Bordi i Transparencës ka sjellë pasoja negative


Autoriteti i Konkurrencës ka shprehur më në fund një qëndrim zyrtar lidhur me Bordin e Transparencës për përcaktimin e çmimeve të karburanteve në vend.

Në vendimin që kishte objekt hetimin paraprak të tregut të naftës dhe benzinës, organi drejtues i këtij institucioni, Komisioni i Konkurrencës, gjykon se, në një situatë normale, çmimet e rekomanduara, ashtu si edhe ato të fiksuara mund të kenë efekte negative në konkurrencë.

“Çmimet e rekomanduara mund të ndihmojnë koordinimin e çmimeve midis konkurrentëve si pasojë e transparencës dhe mund të çorientojnë konsumatorët rreth nivelit të arsyeshëm të çmimit. Çmimet e fiksuara janë instrumente rregullatorë, por që kanë efekt për konkurrencën dhe reduktojnë përfitimet e konsumatorëve që janë rezultat i konkurrencës së tregut. Gjithashtu çmimet maksimale të fiksuara mund të mbrojnë konsumatorin nga çmimet e larta në treg, por krijojnë një mungesë të konkurrencës efektive,” thuhet në vendimin e Komisionit të Konkurrencës.

Shpeshherë, Komisioni i Konkurrencës ka dalë me rekomandime për qeverinë shqiptare lidhur me çështje që prekin problematika të konkurrencës në treg, por në këtë rast nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe ka preferuar të shmangë një pozicionim eksplicit lidhur me faktin nëse duhet të përdoret apo jo instrumenti i çmimeve maksimale të fiksuara në situatën aktuale.

Megjithatë, në arsyetimin e vendimit të hetimit për tregun me shumicë të karburanteve, Komisioni i Konkurrencës shprehet se “duke qenë se marzhi i fitimit aplikohet mbi koston mesatare të ponderuar të produktit e cila është e ndryshme për ndërmarrje të ndryshme, rrjedhimisht dhe çmimi i shitjes mbi të cilin aplikohet marzhi duhet të jetë i ndryshëm midis konkurrenteve, por ky çmim nuk duhet të kalojë nivelin maksimal të përcaktuar nga Bordi i Transparencës”.

Në mars të vitit të kaluar, qeveria shqiptare vendosi, nëpërmjet akti normativ, për ngritjen e një Bordi Transparence, që përcakton një çmim maksimal me shumicë dhe pakicë të shitjes për karburantet, bazuar në çmimin e tyre në Bursë dhe duke njohur mbi këtë çmim disa kosto dhe marzhe fitimi fikse. Ky vendim u motivua me situatën e jashtëzakonshme të krijuar pas shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe me nevojën për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e fortë e çmimeve.

Shumë ekspertë e kanë konsideruar të gabuar fiksimin e çmimeve, sepse kjo praktikë dëmton konkurrencën dhe ul elasticitetin e çmimit. Megjithëse çmimet e përcaktuara nga Bordi janë të konsideruara si çmime tavan, në fakt shumica e kompanive të tregtimit me pakicë të karburantit dhe sidomos ato më të mëdha, në fakt, nuk i ulin asnjëherë çmimet poshtë nivelit të përcaktuar nga Bordi./E.Shehu

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor