Vendosni fjalën kyçe....

Inceneratori i Tiranës reagon ndaj denoncimit të Kryemadhit: Është gjobëvënie politike, po na dëmton ecurinë e projektit


Kompania koncesionare IEBV, që bën trajtimin e mbetjeve në Sharrë ka reaguar ndaj denoncimit me video të Monika Kryemadhit se atje nuk bëhen diferencim mbetjesh por groposje e tyre.

Kompania në një reagim publik i quan sulme të opozitës dhe pjesëmarrje e një gjobvënie politike të orkestruar shumë muaj më parë.

Sipas tyre presioni i opozitës po dëmton ecurinë e projektit pasi po i vë bashkëpunëtorët shqiptarë dhe të huaj përballë një situatë të pazakontë.

Koncesionari ka postuar edhe videon ku diferencohen mbetjet.

Reagimi:

Reagim i Shoqërisë Koncesionare IEBV ndaj akuzave dhe gjobave të përsëritura politike të opozitës.

Ditët e fundit, shoqëria koncesionare, IEBV, ka rënë pre e një sulmi të ripërsëritur nga forcat politike në opozitë, kryesisht Partia e Lirisë dhe Partia Demokratike.

Këto sulme krejtësisht të pabazuara dhe të orientuara me keqdashje për dëmtimin e reputacionit të shoqërisë koncesionare, janë pjesë e një gjobëvënie politike, të orkestruar shumë muaj më përpara.

Presioni i përditshëm dhe i mirëllogaritur nga forcat politike të opozitës, vazhdon të dëmtojë në mënyrë të përsëritur punën si dhe ecurinë e këtij projekti, duke bërë që bashkëpuntorët e huaj dhe shqiptarë të vihen përballë një situate të pazakontë të zhvillimit të punës dhe biznesit.

Referuar këtyre akuzave të ngritura ditët e fundit ndaj Shoqërisë, për ndarjen e mbetjeve të riciklueshme, ndjejmë detyrimin të sqarojmë opinonin publik.

Sipas një video të publikuar nga deputetja e Parlamentit, Monika Kryemadhi, pretendohet se Shoqëria IEBV, nuk kryen trajtimin e diferencuar të mbetjeve në Sharrë. Kjo është tërësisht e pavërtetë edhe pse opinioni publik prej muajsh po mbarset me shpifje dhe të pavërteta.

Për akuzat ndaj Shoqërisë, ju sqarojmë:

Shoqëria IEBV, prej disa vitesh tashmë kryen çdo ditë, rregullisht, procesin e diferencimit të mbetjeve që trajtohen në Sharrë. Kapaciteti i këtij trajtimi është 650 ton/24 orë. Ky kapacitet ka qënë kapaciteti i parashikuar në fillim të kontrates koncesionare për sasinë e mbetjeve që do të trajtoheshin në Zonën e Trajtimit të Mbetjeve, Tiranë. Sqarojmë se bashkëngjitur Impiantit të Djegies dhe Prodhimit të Energjisë, do të jetë Impianti Tjetër i Diferencimit i cili është riprojektuar dhe do të jetë 100% automatik, dhe siguron kapacitet maksimal të diferencimit të mbetjeve. Sqarojmë se për arsye teknike dhe njerëzore, ky Impiant diferencimi, operon vazhdimisht, por ka edhe nevojat e veta teknike për mirëmbajtje, kohë gjatë së cilës procesi është i pamundur të ndodhë. Ashtu sikurëse nuk ka ndodhur në data të caktuara pushimesh zyrtare.

Gjithashtu, që prej Nëntorit 2021 Shoqëria, ka mbyllur përfundimisht kultivimin e mbetjeve në vend-depozitimin e vjetër. Një vit më pas, pas studimit dhe monitorimit prej një viti të gjendjes së këtij vend-depozitimi, uljeve të pësuara të relievit dhe për shkak të ndryshimit të këndeve të skarpatave, ka qënë e nevojshme që nën pjesën Veri-Perendimore të Sharrës, të bëhet një mbushje për të arritur këndin e duhur të stabilizimit të skarpatave para mbylljes përfundimtare me membrana të këtij vend-depozitimi. Mënyra e vetme për ta kryer këtë mbushje është me mbetje urbane, pasi tabani në atë zonë nuk mund të suportojë më shumë ngarkesa. Nëse edhe kjo mbushje do të bëhej me materiale të tjera më të rënda, mund të sillnin dhe çedim të bazamentit.

Qelizat e reja të landfilleve që po ndërtohen nga Shoqëria për menaxhimin dhe ruajtjen e mbetjeve të ngurta Urbane, janë të përllogaritura të kenë hapesirë të mjaftueshme për mbetjet deri në momentin e vënies në operim të Impiantit të djegies dhe prodhimit të energjisë dhe jo periudha 30 vjeçare si mund të jetë interpretuar, pasi Shoqëria do të arrijë që në vitin 2030 të plotësojë 100% direktivën e BE-së, pra 0 Ëaste to Landfill !

Shoqëria koncesionare IEBV, po kryen çdo ditë me përgjegjësi maksimale, punën e menaxhimit të mbetjeve edhe pse e gjendur para gjithë presioneve dhe akuzave politike, që dëmtojnë imazhin e shoqërisë dhe vështirësojnë edhe më shumë marrëdhëniet e punës dhe besimit me bashkëpunëtorët.

Së fundmi i bëjmë thirrje të gjjtha organeve ligjzbatuese, ekspertëve mjedisorë, mediave dhe trupës diplomatike në vendin tonë, që të vizitojnë Zonën e Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë, për të parë të vërtetën dhe jo baltën, sajesat dhe manipulimet politike të znj. Kryemadhi dhe deputetëve të tjerë që e ndjekin atë.

Ftojmë gazetarët dhe studiot televizive të pasqyrojnë reagimin e Shoqërisë IEBV, në respekt të profesionalizmit dhe distancimit nga gjobëvëniet politike.