Vendosni fjalën kyçe....

Sokol Balla “masakron” grupin Basha-Alibeaj: Përtacë e parazitë që presin mrekullinë nga Amerika


Gazetari Sokol Ball ka ‘masakruar’ grupin Basha-Alibeaj e deputetët që janë pjesë e këtij grupi duke i cilësuar si përtacë e parazitë që presin mrekullinë nga SHBA-ja.

Në një shënim të gjatë, Balla, ai shkruan se ndërsa ai vetë e ka mbyllur kapitullin me Sali Berishën si mundësi zgjedhjeje politike e elektorale që prej vitit 2011, sërish ata nga të cilat shoqëria shqiptare priti dhe pret moderimin në PD dhe reformimin e partisë më të madhe opozitare rrinë shohin televizor, shajnë gazetarët presin darka me Xhelal Mziun ose ftesa nga Ervin Salianji, pa harruar të bëjnë foto kur janë në SHBA para Departamentit të Shtetit.

Balla shkruan më tej se pikërisht preh deputetëve të grupit Basha-Alibeaj shoqëria shqiptare dhe SHBA-ja presin të vijë shpëtimi i vendit, ndërkohë që janë një grup përtacësh e parazitësh.

Ai i quan deputetët e grupit në fjalë me jo pak ironi si të moderuarit në PD që në fakt janë të moderuarit e Berishës dhe se janë zhgënjimi më i madh i shoqërisë më PD-në.

“Të moderuarit amerikanë të Saliut, nuk janë të dhunshëm, thjesht sepse janë përtacë. Ata thjesht presin. Dhe nuk presin pak. Ata presin SPAK. Presin me organ ngulur në rërë. Që të bjerë një tërmet, të lëvizë tokën lart e poshtë. E kështu Ata, pa bërë asgjë, të shijojnë orgazmën e Pushtetit. Tani kanë futur edhe kokën si struci dhe me bythën lart, presin Vulën, fitoren. Por e vetmja gjë që do ndjejnë, është shkopi i Salianjit. O pika, pikaaa.” – mbyll shënimin e tij Balla.

Shkrimi i plotë i Ballës

“Prej gati dy vjetësh, nuk kam shkruar. Që prej 25 prillit, e kam ndjerë të nevojshme të mos bie pre e realitetit social politik shqiptar, i cili të konsumon me negativitetin e tij. Me ka mjaftuar ta ndjek në distancë sigurie, për shkak të detyrës, apo në korridoret e hotel Rogner. Por disa reagime pas intervistës sime të enjten me ambasadoren amerikane, disa pakënaqësi lidhur me qendrimet e saj ndaj PD dhe Sali Berishës, më bënë të ndryshoj mendje. Dhe mua nuk më ndryshon mendja kollaj.

Per shembull une nuk ndryshoj mendjen që prej 21 prillit 2011, se unë e kam mbyllur kapitullin me Sali Berishën, si një mundësi zgjedhjeje politike apo elektorale. Pas meje, në 2013, e ndau mendjen dhe Shqipëria. Edhe ajo nuk ka ndryshuar mendje prej 10 vjetësh, dhe megjithë rritjen e përshtypjes negative ndaj qeverisjes socialiste dhe devijancave të saj jo rrallë të shpifura, sërish duket se 800 mijë shqiptarë, me ose pa patronazhim, do mbyllin hundët (por jo sytë) dhe do votojnë kundër Berishizmit.

Këta 800 mijë, shumë prej tyre hallexhinj, me një këmbë jashtë Shqipërisë dhe jo rrallë të neveritur nga telenovelat rozë me Sulltanë e pashallarë, me Skënderbe dhe Hamzenj, me bllok e bllokmenë, me Paraardhës pijanecë e të korruptuar e me Pasardhës të nxituar, sërish nuk impresionohen nga përrallat e Saliut. Përralla të cilat jo rrallë kanë përfunduar në tragjedi. Modelet e Saliut, nga ato ekonomike te piramidave, deri ato politike të Floktoreve, shtatëzanitë e tij të dështuara kronike për të pjellë biologjikisht dhe politikisht pasardhës për të qenë, janë një kapitull i mbyllur për shumicën e shqiptarëve.

Në 9 shtator 2021, nisi një proces i ri, ku Partia Demokratike iu fut e fundit nga shoqëria shqiptare, procesit për të kuptuar, nëse dhe ajo, apo një pjesë e saj, e kishte mbyllur hesapin me Sali Berishën. Në 6 mars 2022, 30 vjet pasi e votuam si Messia, e morëm një pjesë të mirë të përgjigjes. Messian, e kthyer ne Antikrisht, e Donte vetëm një pakicë, por që njëkohësisht ishte shumica e demokratëve.

Shifrat bëheshin edhe më tragjike, pasi në së paku dy qytete nga 6 në garë, kandidatët e Sali -LSI, kishin marrë edhe shkelje syri nga rivalët socialistë. Në Gërdec, mbiemri Berisha doli i dyti, fiks 14 vjet pasi aty i njëjti mbiemër Junior, vrau 28 vetë. Ate ditë pata frikë se mos edhe Shqipëria e Donte akoma Saliun, por shumë shpejt u binda, se faji në fakt, nuk ishte as i Shqipërisë së shumicës, por as i tij deri diku.

Saliu është ai që është. Besoj me moshën dhe përvojën dhe ngarkesën biologjike të mëkateve që ka, këtë e ka pranuar dhe vetë. I vetmi ndryshim është se tani po gënjen vetëm të vetët. Por askush nuk e di me siguri sesa prej tyre e kanë kuptuar këtë.

Të enjten në mbrëmje, pas intervistës me zonjën Kim, më vinin SMS nga “të moderuarit e trishtuar”. Ata me pezm më shkruanin sesi ka mundësi që Yuri Kim u është larguar, apo përse “kjo zonja nuk thotë kur do ta fusë në burg këtë burrin, se na lodhën të dy”. I shkruanin këto me siguri nga mejhanet luksoze, të metropolit, apo nga shtëpitë e tyre kushedi si e për çfarë, të falura nga lojërat e pista të pushteteve.

Dhe keta, janë ata, nga të cilët shoqëria, pret moderimin dhe reformimin e PD. Por kata çfarë bëjnë? Rrinë dhe shohin televisor, me shajnë mua ose Fevziun, kur s’u pelqen ndonjë pyetje, apo përgjigje, pastaj presin ndonjë ftesë për darka me yndyrë, gjizë e raki nga Zhelali, vazhdojnë shkëmbejnë mesazhe me Salianjin, për të kuptuar se çfarë ngjyre të veshin kollaren nesër: mavi, blu apo gold. Pa harruar të nxjerrin foto, sidomos kur janë në Amerikë dhe bëjnë foto para Departamentit të Shtetit, ku sigurisht kalojnë si turistë dhe jo si vizitorë.

Janë kjo pjesë e PD ku të gjithë ne, presim të vijë shpëtimi. Këtë presin dhe amerikanët. Prandaj dhe nuk flasin më. Ata folën. Edhe në të tjerët kemi folur. Prej dekadash. Këta të moderuarit ishin ata që na kundërshtonin. Prej dekadash. Këta na quanin njerëz të Ramës. Ndërsa sot, janë shndërruar më “komunistë” se ne. Deri në pikën që na kërkojnë llogari, ne apo amerikanëve, se përse nuk fusim Saliun në burg. Që të vijnë këta, me luge dhe me enë, dhe si qerratenj të shpëtojnë mëmëdhenë. Siç do thoshte Drita Pelingu, halla e Njeriut me Top: “O pika, pikaaa!”

Këta, të moderuarit pro amerikanë, ku më i Miri prej tyre zgjedh të mos flasë, ku më përtaci prej tyre, mban në dorë çelësin e nje brave pa derë, ku më e sakta prej tyre, çuditërisht Saliu i ka lënë zyrë në PD, ku më Ii përgjumuri prej tyre vazhdon e flen gjumë akoma, janë vënë në garë vetëm kush të duket më i bukur dhe më lider kreshnik, kur gjykata (siç ata luten) t’u lërë në dorë vulën (mendojnë të shkretët se Saliu do t’u lirojë zyrat), kur SPAK (siç ata ëndërrojnë) të burgosë Saliun. E më pas ata të marrin fjalët e Yuri Kim, t’ja japin Odetës t’i bëjë spot, e pastaj të vijnë, pa hyrë fare në zgjedhje, pa hyrë farë në luftë, pa hyrë fare në PD, po direkt e nga krevati, të hyjnë në zyrën e Pushtetit. Apo jo Drita?

Këta te moderuarit, në fakt janë zhgënjimi më i madh i shoqërisë, me Partinë Demokratike. Sepse në fakt këta janë të moderuarit e Berishës. Vijnë nga listat e tij. Vijnë nga zyrat e pushtetit të tij. Vijnë nga prehri i pasardhësit të tij. Në fund fare, vijnë nga votat e elektoratit të tij. Por a mund të ketë Saliu një version të moderuar? Për këtë mos më pyesni, as besoni mua. Për të vërtetuar këtë tezë, pyesni Selamin sa herë e ka gënjyër e rrahur, Imamin sa herë rrahur e tallur, Topallin sa herë nxehur e përdorur.

Azemin nuk e pyesim dot. Por mjafton të shihni Rudinën e tij. Sa herë ajo hyn e del në PD, po aq herë Saliu qesh si plaku Mere pas kurrizit të saj. Këta janë të gjithë pjella të tij. Dhe arsyeja përse ai fiton në PD, është se ai së paku është Origjinali. Këta të tjerët, të gjithë, janë kopje qesharake dhe groteske të tij. (Përvec Gones. Siç thonë sondazhet, ai është grotesk “më vehte”)

Ndaj demokratikasit e thekur do ta duan deri në vdekje Doktorrrin. Ndaj PD do shkojë pas fundit ideologjik, drejt atij biologjik. Ndaj njerëzit ikin. Ndaj prokurorët kanë frikë. Ndaj hesht Yuri Kim. Ndaj nxehemi ne të tjerët. Ndaj Edi Rama dhe të tijët fitojnë zgjedhjet. Jo me mbledhje. Por me mbetje.

Të vetmet mbetje që nuk i “djegin” as inceneratorët.

Të moderuarit amerikanë të Saliut, nuk janë të dhunshëm, thjesht sepse janë përtacë. Ata thjesht presin. Dhe nuk presin pak. Ata presin SPAK. Presin me organ ngulur në rërë. Që të bjerë një tërmet, të lëvizë tokën lart e poshtë. E kështu Ata, pa bërë asgjë, të shijojnë orgazmën e Pushtetit. Tani kanë futur edhe kokën si struci dhe me bythën lart, presin Vulën, fitoren. Por e vetmja gjë që do ndjejnë, është shkopi i Salianjit.

O pika, pikaaa.