Vendosni fjalën kyçe....

Fondet e investimit pësuan humbje në 2022, viti më i vështirë që nga krijimi i tyre


Fondet e investimit e mbyllën me kthime negative vitin 2022. Të dhënat e raportuara nga shoqëritë administruese të fondeve tregojnë se viti i kaluar ishte më i vështiri që nga nisja e rrugëtimit të këtyre fondeve, një dekadë më parë.

Fondet e investimit në monedhën Lekë kanë pësuar humbje deri në kufijtë e 9%, ndërsa për fondet e investimit në valuta të huaja kthimi vjetor ka qenë edhe më thellë në territor negativ, deri në nivele dyshfrore.

Rezultatet e vitit 2022 bënë madje që disa prej fondeve më të hershme në treg të humbitnin të gjithë fitimin e akumuluar në të paktën tre vitet e fundit, ndërsa për kthime pozitive nga investimi duhet shkuar mbrapa në një horizont krahasimi 4-5 vjeçar.

Faktori përcaktues në rënien e vitit të kaluar ishte ndryshimi i kahut të politikës monetare në Shqipëri, ashtu si në shumicën e vendeve të tjera. Rritjet e njëpasnjëshme të normës bazë nga Banka e Shqipërisë dhe bankat e tjera qendrore sollën një rritje të yield-eve në emetimet e reja të instrumenteve financiare.

Kjo rritje shkaktoi rrjedhimisht rënie të fortë në vlerën e drejtë të instrumenteve në portofolet e fondeve, që i takojnë një periudhe kur normat e interesit dhe yield-et ishin pranë niveleve më të ulëta historike. Kjo tendencë solli një rënie në vlerën e aseteve neto dhe shtyu shumë investitorë të dalin nga fondet, duke likuiduar kuotat e tyre.

Të dhënat e tremujorit të fundit 2022 nuk janë ende të disponueshme, ndërsa statistikat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se deri në fund të 9-mujorit të vitit të kaluar vlera e aseteve neto të tregut ra në 53.7 miliardë lekë, 30.8% më krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

Në fund të shtatorit, numri i anëtarëve në fondet e investimit ra në rreth 34 mijë, 14.6% më pak krahasuar me fundin e vitit 2021. Burimet nga tregu bëjnë të ditur se kjo tendencë e tërheqjes së investitorëve ka vijuar edhe gjatë tremujorit të katërt 2022.

Fondet e investimit në Lekë investojnë kryesisht në Bonove dhe Obligacione të qeverisë shqiptare. Deri vitin e kaluar, portofoli i tyre dominohej dukshëm prej instrumenteve afatmesëm dhe afatgjatë, me qëllim garantimin e kthimeve më të larta.

Por, goditja që solli rritja e yield-eve vitin e kaluar bëri që shumica prej tyre të rishikonin politikat e investimit, duke u orientuar kryesisht drejt instrumenteve afatshkurtra, për të minimimizuar luhatjet nga lëvizja e yield-eve në vazhdimësi.

Ndërkohë, në një intervistë për “Monitor” në muajin dhjetor, AMF shprehej se ka monitoruar situatën e fondeve të investimit përmes një raportimi me frekuencë të shtuar të treguesve kryesorë dhe në veçanti të treguesve të likuiditetit, në mënyrë që të sigurohet zbatimi i bazës ligjore e rregullatore për plotësimin e kërkesave për shlyerje të investitorëve.

Në treg aktualisht veprojnë 11 fonde investimi të menaxhuara nga pesë shoqëri administruese. Fondet e administruara nga shoqëria administruese Raiffeisen Invest ngelen dukshëm dominuese, me pothuajse 95% të aseteve neto të tregut./E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor