Vendosni fjalën kyçe....

Plagosen dy persona në Shtërpcë, Kurti dënon sulmin ndaj dy qytetarëve serbë të Kosovës


Policia e Kosovës ka njoftuar dy persona janë plagosur me armë zjarri, në fshatin Drajkovc të Shtërpcës, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.

Sipas njoftimit të policisë, rreth orës 15:20 më 6 janar, ndaj dy personave, njëri rreth 11-vjeçar dhe tjetri rreth 21-vjeçar, është shtënë me armë zjarri nga të dyshuar, të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt. Sipas policisë, vetura më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, raporton REL.

Lidhur me rastin Policia e Kosovës ka identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet A.K. i moshës 33-vjeçar. I dyshuari është shoqëruar në Policinë Rajonale të Ferizajt.

Siç thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, hetuesit rajonal kanë gjetur dhe më pas kanë konfiskuar armën e zjarrit (pistoletë), me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.

Si provë materiale është konfiskuar edhe automjeti i udhëtarëve, me të cilën dyshohet se ka lëvizur i dyshuari.

Sulmin ndaj dy qytetarëve në Shtërpcë e ka dënuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

E dënoj ashpër sulmin ndaj dy qytetarëve të Kosovës në Shtërpcë. Thellësisht i brengosur për plagosjen e tyre. Sipas informatave, të rinjtë 11 dhe 21 vjeçar janë jashtë rrezikut për jetë dhe ju dëshiroj shërim të shpejtë. Policia e Kosovës veçse ka arrestuar të dyshuarin i cili pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë.

Njësitet relevante do të vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij akti të papranueshëm dhe të dënueshëm.

Dua të siguroj të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është e angazhuar maksimalisht në kryerjen e detyrave të saj me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe pronës së të gjithëve pa dallim”-shkruan Kurti.