Vendosni fjalën kyçe....

Kurti i prerë: Kosova nuk bisedon me kriminelët e mbështetur nga Beogradi, do i arrestojë


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se qeveria e tij nuk do bisedojë me kriminelët që kanë vendosur barrikadat në veri, po do i arrestojë ata.

Reagimi i kreut të qeverisë së Kosovës erdhi pas vendosjes së barrikadave të reja dy ditët e fundit në veri që kanë bllokuar edhe më shumë qarkullimin e qytetarëve.

Kurti tha se kriminelët e sanksionuar nga SHBA-ja e Britania mbështeten nga qeveria e Serbisë e presidenti i saj Vuçiç.

Po kështu ai theksoi se qeveria e tij i ka dhënë kohën e nevojshme KFOR-it për të hequr barrikadat dhe se kjo kohë po ikën me shpejtësi.

“Kriminelët po sfidojnë organet e zbatimit të ligjit. Këta kriminelë të sanksionuar nga SHBA e Britania po mbështeten nga Qeveria dhe presidenti i Serbisë. Kosova dhe institucionet e saja nuk do të bisedojnë me kriminelët, por do t’i arrestojnë ata. Vendosja e barrikadave është veprim i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet. Ne i kemi dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme KFOR-it për të vepruar. Por kjo kohë po shkon me shpejtësi . S’mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë, edhe barrikadat në rrugë.” – tha Kurti.