Vendosni fjalën kyçe....

Moti ekstrem godet SHBA-në, shkakton 16 viktima, 1.7 milionë shtëpi pa energji


Një stuhi e madhe dimërore përfshiu pjesën më të madhe të SHBA-së të shtunën, duke ndërprerë udhëtimet e shërbimet komunale, si dhe duke lënë rreth 1.7 milionë shtëpi pa energji elektrike. Të paktën 16 persona kanë vdekur pasi temperaturat ranë deri në -45 gradë Celsius në disa pjesë të vendit.

Stuhia, e përshkruar nga parashikuesit si një ‘ciklon bombë’, është shkaktuar nga një përplasje e ajrit të ngrohtë dhe të lagësht që vjen nga jugu me ajrin e ftohtë dhe të thatë nga veriu.

Ajo ka goditur bregun lindor të SHBA-së, duke u shtrirë për rreth 3,200 km nga Liqenet e Mëdha pranë Kanadasë deri në Rio Grande përgjatë kufirit SHBA-Meksikë, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS).

Temperaturat ranë shumë nën vlerat normale, me stuhi, erëra të forta dhe përmbytje të vërejtura në të gjithë vendin. Në disa vende, temperaturat arritën vlera ekstreme, me -38C të raportuar në Iowa dhe -45.6C në Montana.

Të paktën 16 vdekje në të gjithë SHBA-në i janë atribuar tashmë motit ekstrem, raportuan mediat lokale duke cituar zyrtarët. Shumica e vdekjeve u shkaktuan nga aksidente fatale rrugore në shtete duke përfshirë Kentakin, Misurin, Oklahoman dhe Ohion.

Stuhia ka shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë elektrike që kanë prekur rreth 1.7 milionë shtëpi. Udhëtimet janë prekur gjithashtu shumë, me më shumë se 7,000 fluturime të vonuara dhe gati 3,500 të anuluara plotësisht.