Vendosni fjalën kyçe....

Aksidentohet për vdekje punonjësi i pastrimit tek Shkëmbi i Kavajës, plagosen dhe dy vajza 20-vjeçare


Një aksident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ku një 18-vjeçar ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka përplasur një 50-vjeçar.

Personi me inicialet B.B ishte punonjës i pastrimit i cili në momentin e aksidentit po kryente detyrën e tij.

Për fat të keq, punonjësi nuk ka mundur t’i mbijetojë përplasjes. Nga aksidenti kanë mbetur të lënduara edhe dy pasagjere, të cilat ndodhen në spital.

“Në orët e para të mëngjesit, në vëndin e quajtur ‘Shkëmbi i Kavajës’, shtetasi B. H., 18 vjeç, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, dhe për pasojë automjeti është përplasur me ambientet e jashtme të një hoteli.

Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën shtetasi B. B., rreth 50 vjeç (punonjës pastrimi dhe gjelbërimi), i cili në momentin e përplasjes, ishte duke pastruar.

Gjithashtu, nga përplasja janë dëmtuar shtetaset F. D., 20 vjeçe dhe L. P., 20 vjeçe, pasagjere në këtë automjet, të cilat ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Drejtuesi i automjetit, shtetasi B. H. është shoqëruar në Komisariatin e Policisë, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit.”- bën me dije Policia.