Vendosni fjalën kyçe....

Drejtoria e Doganave reagon pas investigimit të “News 24”: Ka ricikluar lajmin e vjetër të “Shijak TV”, po na hedh baltë


Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka reaguar pas investigimit të publikuar këtë të hënë nga televizioni “News 24”, ku punonjës të Portit të Durrësit janë filmuar duke marrë ryshfet.

Në reagimin për mediet, Drejtoria e Doganave thotë se investigimi i sotëm është një ngjarje e vjetër e publikuar fillimisht nga “Shijak TV” mbi një muaj më parë.

Institucioni nuk e hedh poshtë që korrupsoni ka ndodhur dhe thotë se organet kanë nisur hetimin, por sipas “News 24” këta punonjës vijojnë detyrën.

“Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ndjen si detyrim për publikun të sqarojë, në lidhje me lajmin e News 24, media e cila po hedh baltë mbi këtë institucion, se:

Lajmi i publikuar sot është një ngjarje e vjetër, transmetuar për herë të parë nga Shijak TV, më shumë se një muaj më parë. Lidhur me këtë ngjarje sqarojmë se organet hetimore kanë nisur hetimet dhe janë duke kryer punën e tyre me mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.”– thuhet në reagim.

Drejtoria e Doganave thotë se “riciklimi i një lajmi në vjetër” është në vazhdën e presioneve dhe shantazheve që sipas saj po bëhen nga grupi mediatik i drejtuar nga biznesmeni Irfan Hysenbelliu.

REAGIMI I PLOTË

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ndjen si detyrim për publikun të sqarojë, në lidhje me lajmin e Neës 24, media e cila po hedh baltë mbi këtë institucion, se:

Lajmi i publikuar sot është një ngjarje e vjetër, transmetuar për herë të parë nga Shijak TV, më shumë se një muaj më parë. Lidhur me këtë ngjarje sqarojmë se organet hetimore kanë nisur hetimet dhe janë duke kryer punën e tyre me mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Thënë kjo, vlen të theksohet se riciklimi i sotëm i një lajmi të vjetër, është në vazhdën e presionit dhe shantazhit të hapur që grupi mediatik News 24, Balkanweb dhe Panorama, kryejnë prej muajsh ndaj të gjitha institucioneve shtetërore që kanë kapur në shkelje të ligjit Irfan Hysenbelliun. Konkretisht, kjo baltosje e fundit ndodh në prag të gjyqit me autoritetet doganore, ku një nga kompanitë në pronësi të Irfan Hysenbelliut, “Birra Tirana” akuzohet për evazion fiskal në vlerë 24 milion lekë.