Vendosni fjalën kyçe....

Projektligji i ri i sigurisë në Britani, WhatsApp kundër: Më mirë të na mbyllin fare


Do ishte më mire që WhatsApp të ndalohej në Britani, sesa komunikimi midis përdoruesve të jetë i aksesueshëm për autoritetet, tha Will Cathcart, kreu i WhatsApp në Meta.

Vërejtjet e tij erdhën pasi Projektligji i Sigurisë në internet, i cili do detyronte WhatsApp-in të kompromentonte enkriptimin e tij, u rifut në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar javën e kaluar pas një vonese pesëmujore. Kriptimi e bën teorikisht të pamundur që mesazhet private të lexohen nga palët e treta ose vetë WhatsApp.

“Ligji parashikon që ofruesit e komunikimit të heqin enkriptimin, për të patus qasje në të.” – tha Cathcart për The Telegraph të shtunën.

“Realiteti i vështirë është se ne ofrojmë një produkt global. Do ishte një vendim shumë i vështirë për ne që të bëjmë një ndryshim ku 100% e përdoruesve tanë ulin sigurinë e tyre.” – shtoi Cathcart, duke shtuar se kompania më mirë do përballej me rrezikun e largimit me forcë sesa të zvogëlonte mbrojtjen e saj të privatësisë.

“Ne mendojmë se këmbimi më i mirë është të ofrojmë një shërbim të sigurt për të gjithë njerëzit që kanë akses në të dhe të pranojmë që në disa vende ne jemi të ndaluar.”

Projektligji i Sigurisë në internet u propozua për herë të parë nga ish-kryeministrja Theresa May në vitin 2019 dhe ka pësuar disa ndryshime. Qeveria pohon se legjislacioni është i nevojshëm për të gjurmuar terroristët dhe abuzuesit e fëmijëve.

Në një deklaratë për mediat britanike, një zëdhënës i qeverisë tha se ‘kriptimi nuk mund të lejohet të pengojë përpjekjet për të kapur autorët e krimeve të rënda’.

Sipas faqes së internetit të qeverisë, ‘si mjeti i fundit’, projektligji do lejojë rregullatorin e telekomunikacionit Ofcom të detyrojë platformat të ‘përdorin teknologji shumë të saktë për të skanuar kanalet publike dhe private për materialet e abuzimit seksual të fëmijëve’.

WhatsApp është i ndaluar ose i kufizuar në Kinë, Korenë e Veriut, Iran, Siri, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.