Vendosni fjalën kyçe....

Polonia s’heq dorë nga kërkesa për dëmshpërblimet e Luftës së Dytë Botërore: Gjermania na detyrohet 1.3 trilion euro


Polonia nuk ka plane ta braktisë çështjen e dëmshpërblimeve të Gjermanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, deklaroi të shtunën Dariusz Pawlos, i dërguari i ri i vendit në Berlin. Më herët këtë vjeshtë, Varshava i paraqiti fqinjit të saj një faturë reparacionesh prej 1.3 trilion eurosh.

Duke folur për gazetën Die Welt, Paëlos tha se edhe pse qeveria gjermane ‘e konsideron çështjen të mbyllur ligjërisht’, Varshava ‘nuk mendon kështu’.

Ai vuri në dukje se gjatë Luftës së Dytë Botërore Polonia humbi një të tretën e popullsisë së saj nga mizoritë naziste dhe se pas luftës të dy vendet nuk nënshkruan kurrë një traktat që do zgjidhte të gjitha kërkesat për dëmshpërblime.

Ambasadori pranoi se çështja e reparacioneve është një çështje ‘e dhimbshme’ për të gjitha palët e përfshira, por vuri në dukje se konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë nuk duhet të pengojë zgjidhjen e tij, duke qenë se ‘nuk ka kohë të mirë për një kërkesë të tillë’.

“Unë mendoj se është e rëndësishme, veçanërisht në kohë lufte, të kujtojmë se krimet e luftës nuk skadojnë.” – theksoi Pawlos.

Ai gjithashtu kundërshtoi spekulimet se kërkesat e Polonisë janë vetëm një mjet për t’u përdorur gjatë fushatës elektorale kombëtare.

“Do ishte e pakujdesshme të mendohej se problemi thjesht do zhdukej pas zgjedhjeve të vitit 2023.” – tha ai, duke shtuar se pretendimet e Varshavës bazohen në mbështetjen e madhe publike dhe janë gjithashtu të miratuara nga Platforma Qytetare, partia më e madhe opozitare.

Kompensimi për dëmin e shkaktuar Polonisë nga Gjermania naziste midis viteve 1939 dhe 1945 mbetet një çështje e mprehtë midis dy vendeve të BE-së.

Berlini këmbëngul se çështja u zgjidh kur Varshava hoqi dorë nga e drejta për to në vitin 1953 sipas një marrëveshjeje me Gjermaninë Lindore dhe se çështja u zgjidh përfundimisht sipas një traktati të vitit 1990 gjatë ribashkimit gjerman. Në vitet 1990, Berlini bëri pagesa për viktimat e punës së detyruar dhe ish-të burgosurit e kampeve naziste të përqendrimit.

Polonia, ndërkohë, këmbëngul se heqja dorë në vitin 1953 u nënshkrua nën presionin e Moskës dhe se asaj iu ndalua pjesëmarrja në negociatat e vitit 1990.

Në fund të tetorit, Varshava lëshoi ​​një kërkesë zyrtare për pagesën e reparacioneve në shumën prej 1.3 trilion eurosh.

Për më tepër, Polonia tha gjithashtu se donte që Gjermania të kthente sendet kulturore të grabitura nga nazistët dhe që ende mbaheshin në vend, ndërsa kërkoi edhe kthimin e ‘pasurive dhe detyrimeve të bankave shtetërore polake dhe institucioneve të kreditit’ të konfiskuara nga Rajhu i Tretë gjatë Luftës së Dytë Botërore.