Vendosni fjalën kyçe....

Vodhën makinën dhe e modifikuan në Durrës për ta shitur, arrestohen dy të rinjtë në Tiranë


Arrestohen dy të rinj në Tiranë pasi akuzohen për vjedhje makinash. Sipas Policisë, hetimet ndaj tyre nisën pas denoncimit të një qytetari banues në rrugën “Petraq Leka” në kryeqyteti. Qytetari deklaronte se i kishin vjedhur automjetin e parkuar në rrugë.

Hetimet çuan tek dy të rinjtë banues në Tiranë, të cilët dyshohet se pasi e kanë grabitur automjetin, e kanë dërguar atë në qytetin e Durrësit, ku i kanë hequr targat dhe më pas i kanë fshirë numrin e shasisë me qëllim për ta shitur atë.

“Vodhën një automjet dhe më pas e modifikuan, me qëllim për ta shitur, vihen në pranga 2 shtetas. Shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e krimeve ndaj pronës, pas kallëzimit nga shtetasi F. A., se persona të paidentifikuar i kishin vjedhur automjetin të cilin e kishte parkuar në rrugën ‘Petraq Leka’, menjëherë kanë organizuar punën për gjetjen e automjetit dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

Pas një pune hetimore disaditore, në bazë të provave të siguruara, u bë identifikimi dhe ndalimi i shtetasve: A. R., 23 vjeç dhe H. N., 27 vjeç, të dy banues në Tiranë. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëritjetrin, kanë vjedhur mjetin tip ‘Audi’, në pronësi të shtetasit F. A. Më pas e kanë dërguar automjetin në qytetin e Durrësit, i kanë hequr targat dhe kanë fshirë numrin e shasisë, me qëllim për ta shitur.”- thuhet në njoftimin e Policisë e cila shton se mndërkohë po vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.