Vendosni fjalën kyçe....

Parashikohet e ardhme e zymtë për industrinë e kriptove – Shefi i BlackRock


Rënia e FTX kërcënon të rrëzojë më shumë kompani të kriptomonedhave, paralajmëroi shefi ekzekutiv i BlackRock, Larry Fink, gjatë samitit të DealBook të New York Times.

BlackRock, menaxheri më i madh i aseteve në botë, është ndër firmat financiare të prekura nga falimentimi i shkëmbimit të kriptove me bazë në Bahamas.

Kompania e Fink menaxhon 10 trilion dollarë në asete në emër të klientëve, duke filluar nga fondet e mëdha të pensioneve deri tek individët me vlerë të lartë neto.

“Unë në fakt besoj se shumica e kompanive nuk do jenë aty.” – tha skeptiku prej kohësh i kriptomonedhave. Fink zbuloi gjithashtu se kompania e tij kishte investuar afërsisht 24 milionë dollarë në FTX.

“A jemi mashtruar?” – pyeti ai.

“Derisa të kemi më shumë fakte, nuk do spekuloj.”

Sipas biznesmenit, ka pasur ‘sjellje të gabuara me pasoja të mëdha’ në FTX, por ai ende sheh potencial në teknologjinë që qëndron në themel të kriptos, pavarësisht nga të gjitha problemet.

Rënia e bursës FTX ka shkaktuar një reaksion zinxhir, duke shkaktuar një krizë besimi në tregun e kriptomonedhave.

Këtë javë, huadhënësi kryesor i kriptomonedhave BlockFi, i cili ishte i lidhur financiarisht me FTX, paraqiti kërkesën për falimentim.

Kompania ndërmjetëse Genesis aktualisht po përpiqet të shmangë të njëjtin fat.

Shkëmbimi kryesor Kraken tha të mërkurën se do të pushonte nga puna 1,100 punonjës, pavarësisht se nuk kishte ‘asnjë ekspozim material’ ndaj FTX. Sipas Bloomberg, më shumë se 130 entitete të lidhura me FTX kanë humbur tashmë.