Vendosni fjalën kyçe....

Berisha-ndërkombëtarëve: Rama paguan miliona që të shfaqë një Shqipëri që nuk ekziston


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka përcjellë një mesazh për të gjithë ndjekësit e tij në rrjetin social “Tik Tok”.

Berisha sqaroi sipas tij arsyet e protestës së opozitës pikërisht në 6 dhjetor.

Berisha tha se arsyeja kryesore e protestës në të njëjtën ditë me Samitin BE-Ballkani Perëndimor është shpopullimi që po bën qeveria e kryeministrit Edi Rama. Kryedemokrati thotë se Rama sot ka të gjitha pushtetet në duar.

Berisha thotë se ka për qëllim t’u tregojë ndërkombëtarëve që Rama, përmes kompanive të lobingut që i ka paguar me milion euro të shqiptarëve, paraqet një realitet që nuk ekziston.

“Të dashur miqtë e mi të TikTok. Me këtë mesazh dëshiroj t’ju sqaroj pse kemi thirrur protestën e datës 6 dhjetor!  Kjo protestë, ditën e Samitit Europian, u thirr me qëllimin më madhor, për t’u bërë të qartë miqve në Shqipëri se Edi Rama duke shpenzuar 10-ra milionë euro e duke angazhuar 10-ra kompani lobimi, ka paraqitur tek ju një realitet shqiptar që nuk ekziston.

E vërteta është se, sot Shqipëria është një vend në shpërbërje. Nga këtu janë larguar në vitet qeverisëse të tij, më shumë qytetarë se në Siri, që po përjeton luftë civile. Shqipëria është një vend i pasur. Por shqiptarët janë sot banorët më të varfër. Kjo jo se nuk ka burime, por se burimet e tyre natyrore, pasuritë e tyre, buxheti i tyre vidhen. Vidhen dhe vetëm vidhen nga qeveria. Edi Rama sot ka të gjithë pushtetet në duar. Kjo jo se ai i meritoi. Por sepse ai ka vjedhur votën dhe nuk respekton vullnetin e lirë të qytetarëve.

Së fundmi, vjedhjet e Edi Ramës dhe klanit të tij kanë prekur edhe qytetarët tuaj. Me Bitcoin janë vjedhur nga klani qeveritar mbi 2.2 miliardë euro. Të gjitha këto janë vetëm disa elementë të hidhur të realitetit shqiptar. Ndaj dhe ne, si parti që përmbysëm komunizmin dhe sollëm pluralizmin. Zhvilluam vlerat europiane në këtë vend. Antarësuam Shqipërinë në NATO. liberalizuam vizat dhe morëm rekomandimin për statusin e vendit kandidat. Qëndrojmë besnikë në këto vlera dhe këto parime që ndajmë me kombet e vendeve tuaja. Kështu që jemi sot në këtë protestë, pikërisht për të ngritur zërin tonë. Se ne nuk jemi njerëz të varfër, por para së gjithash jemi të vjedhur. Se ne nuk votojmë të lirë dhe kjo vret shpresën e shqiptarëve. I shndërron ata në “bought people”, ndaj dhe duam që zëri ynë të dëgjohet. Faleminderit shumë!”