Vendosni fjalën kyçe....

“Nga ndalimi i flamurit të LGBTI-së te ndërtimi i teatrit”-Kandidatët tregojnë pse kanë hyrë në garë për primaret


Kandidatët e primareve për Bashkinë e Tiranës kanë treguar arsyet se pse kanë vendosur të garojnë për të qenë përballë kandidatit të Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Belind Këlliçi tha se qyteti të Tiranës në këto vite i janë bërë dëme të mëdha, ndaj dhe ai ka vendosur të kandidojë. Këlliçi listoi disa nga arsyet e vendimit të tij, ndërsa shtoi se do donte të rriste në këtë qytet fëmijët e tij.

Tirana është dëmtuar rëndë këto vite, është dëmtuar memoria e qytetit, në ndërtime pa kufi, në gjithë perceptimin publik në Tiranë edhe tek qytetarët e zakonshëm të qytetit.

I janë bërë dëme të mëdha qytetit në këto vite. Na është vjedhur e ardhmja janë marr vendime pa dëgjesa publike.

Po marr rastin e inceneratorit. Nuk mund të qëndroj më dëshmitar i shkatërrimit të qytetit ku jetoj. Kam vendosur të jetoj këtu dhe t’i rris fëmijët e mi këtu, nëse do Zoti të jem prind”, tha Këlliçi, në emisionin “Opinion”.

Adriana Kalaja tha se një nga arsyet është që Bashkia  të futet në shinat e ligjit si dhe të ndërtojë Teatrin Kombëtar.

“Është nevojë ulëritëse që Bashkia e Tiranës të kthehet në shinat e zbatimit të ligjit. Bashkia e Tiranës të zbatojë dispozitat ligjore. Kemi raste pafund që janë kryer vepra të ndryshme penale, janë kallëzuar dhe në SPAK. Drejtësia sot është e kapur, kjo është arsyeja pse unë kandidova. Bashkia e Tiranës duhet të kthehet në shinat e ligjit dhe për të zbatuar kauzën e jetës sime: Rikthimi i teatrit ashtu siç ishte dhe aty ku ishte”,-Kalaja.

Ilir Alimehmeti tha se një nga arsyet është edhe që të menaxhoj qytetin, gjë e cila sipas tij ka munguar në vitet e fundit dhe për këtë arsye shprehur sigurinë se do të jetë kandidat i PD në zgjedhjet e 14 majit për Bashkinë e Tiranës.

“Përditë ne jetojmë në këtë Tiranë, e shohim si harrohet trashëgimia e saj kulturore. Ose marr rrugën jetoj jashtë me bashkëshorten time, ose marr kalamajtë shkoj jashtë, ose vendos të bëj këtë që po bëj dhe të përpiqem të ndryshoj një qytet që është i pajetueshëm dhe të administroj një qytet ashtu siç kam administruar shëndetësinë.-tha Alimehmeti.

Ndërsa Gerd Bogdani tha se po kandidon se beson se e fiton Tiranën.

Kandidoj sepse Tirana është qyteti ku jam rritur, ku dua të rris fëmijët e mi. Kandidoj sepse ma kanë kërkuar demokratë dhe qytetarë. Kandidoj sepse mendoj që ky qytet mund të bëhët ende, nëse ka vullnet dhe vizion. Edhe pse pranë pikës së mokthimit, Tirana mund të bëhet dhe nuk ka kohë për të humbur.  Nuk është qyteti ku Veliaj dhe Rama të pastrojnë paratë e krimit duke e kryer këtë qytet në lavatriçen e parave të pista në Shqipëri. Kandidoj sepse besoj që e fitoj Tiranën”, tha Bogdani.

Fatmir Merkoçi tha se ai mendon për një decentralizim të njësive bashkiake, ndërsa cilësoi se sipas tij marrja e bashkisë është rrëzim i Edi Ramës.

Avokati tha se në platformën e tij, është moslejimi i flamurit të LGTB-së në bashkinë e kryeqytetit.

Ajo që është kryesorja, do të bëj që, në qoftë se deri më sot kam kërkuar që individuale dhe permanente minimumin jetik, po të jem kryetar bashkie do ta kërkoj në mënyrë institucionale sepse nuk mund të pranoj që një qytetar i qytetit tim të marri 4 mijë Lekë të vjetra asistencë, dhe ajo që është më kryesorja, duke qenë se i përkas të djathtës konservatore, nuk do lejoj në mënyrë kategorike që të valëvitet apo të vendoset flamuri i LGBT-së në Bashkinë e Tiranës”-tha Merkoçi.

Unë i besoj dhe i falem Zotit, kombit dhe familjes. Për këto 3 gjëra nuk e diskutoj fare, të gjithë më njohin dhe e dinë shumë mirë, qoftë të majtë apo të djathtë, që jam njeriu më i pakorruptueshëm në këtë vend. Nuk shkel mbi parimet, nuk shkel mbi varrin e të parëve, nuk shkel mbi gjakun tim që e kam derdhur në mes të Tiranës, nuk shkel mbi vuajtjet dhe sakrificat e popullit të Tiranës”-shtoi ai.

Ndërsa Enkelejda Fejzo tha se është shtyrë nga dëshira për një ndryshim pozitiv, ndërsa tha se është ofruar të çrrënjosë modelin e kryetarit.

Jam ofruar të çrrënjos modelin e kryetarit. Mendoj që ashtu si guximi im, ne të gjithë së bashku të zgjedhim një ndryshim pozitiv për çfarë kemi parë në këto 30 vite të politikës. Interesi i qytetarëve është busulla që i takon të ketë kryebashkiaku i kryeqytetit”, tha Fejzo.