Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e Pjerin Xhuvanit para zgjedhjeve, Gjykata e Apelit vendos të rikthejë në detyrë 6 policët e pezulluar


Rikthehen në detyrë 6 punonjësit e policisë së Elbasanit, të cilët u pezulluan në lidhje me vrasjen e Pjerin Xhuvanit tre ditëve para zgjedhjeve të 25 prillit të vitit të kaluar. Ky është vendimi i marrë më 21 Nëntor nga Gjykata e Apelit të Durrësit.

“Nga verifikimi ne sistem rezulton se pranë Gjykatës së Apelit Durrës në datën 21.11.2022 janë zhvilluar seancat gjyqësore për shtetasit nën hetim: D.D, P.B, E.B, E.M , D.D, B. K , me objekt ‘Shuarje e masës së sigurimit ndaluese ,ku është vendosur: Ndryshimin e vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, humbjen e fuqisë së masës ndaluese ‘Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ parashikuar nga neni 240 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personave nën hetim për shkak të kalimit të afatit të parashikuar në nenin 267/2 i K.Pr.Penale.”– thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Sipas “News 24”, ku vendim bën fjalë pikërisht për punonjësit e policisë të “Forcave Shqiponja”: Dedion Durakun, Pëllumb Biçakun, Erion Ballën, Erion Meçje, Donald Dedjen si dhe Besmir Kadiun. Gjashtë efektivët ishin pezulluar nga detyra pasi u akuzuan për mosveprim.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 21 prill 2021 në lagjen ‘5 Maji’ në Elbasan, vetëm katër ditë para zgjedhjeve parlamentare.

Në ngjarjen në fjalë që u bë “mollë” sherri mes palëve politike, humbi jetën Pjerin Xhuvani, si dhe u plagosën tre persona të tjerë, mes tyre një efektive policie. Aktualisht çështja është në gjykim, ndërkohë që autori i dyshuar, Arber Paplekaj ndodhet pas hekurave.