Vendosni fjalën kyçe....

Mesila Doda rendit 4 pika: Si mund të arrihet bashkimi ynë kombëtar


Kryetarja e grupit parlamentar për Demokraci dhe Integrim, deputetja Mesila Doda në fjalimin që mbajti në mbledhjen e përbashkët mes dy Kuvendeve, kërkoi nga Shqipëria dhe Kosova që të nisin punën me 4 pika për bashkimin kombëtar.

Në fjalën e saj, Doda gjithashtu u shpreh se krerët e UÇK-së të cilët janë të akuzuar në Hagë në Dhomat e Posaçme, janë heronj e jo kriminelë lufte.

“Është gabim mos të punosh për të jetësuar bashkimin kombëtar. Por çfarë do të thotë bashkimi ynë dhe si mund të arrihet në kushtet e sotme politike të dy shteteve tona?

Më së pari kemi detyrimin të afrojmë brezat e rinj me njëri-tjetrin me programe të përbashkëta arsimore, që do mund të sillnin në kohë një afrim intelektual dhe konceptual të shqiptarëve.

Së dyti, krijimi i comunuelthit ekonomik shqiptar, me ekonomi të integruara, me Lekun si monedhë të përbashkët. Së treti, një projekti yni i kahershëm, krijimin e Akademisë të përbashkët të Shkencave. Një tjetër propozim krejtësisht i mundshëm në këtë sallë do ishte krijimi një komisioni të përbashkët parlamentar që do koordinonte nismat ligjore dhe agjendën politike mes nesh. Ëndrra nuk duhet të ndërpritet.

Duhet t’i japim jetë kombit modern shqiptar, më i madh në numër dhe me resurse më të mëdha ekonomike dhe njerëzore dhe që siguron ardhmërinë tonë të përbashkët. Duhet të kujtojmë që Shqipëria sot nuk është ajo që shpalli Ismail Qemali.

Sot kemi Shqipërinë politike, rrethohemi nga shqiptarë në të katër anët. Kemi Çamërinë martire, kemi Preshevën që rrezikon të kthehet në një Çamëri të dytë. Shteti i Shqipërisë dhe i Kosovës ka detyrimin të punojë dhe për ta.

Kjo sallë ka mungesa të mëdha sot, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e të tjerë. që akuzohen në Hagë. Sot duhet të përsërisim se Lufta e UÇK faqe lavdie në historinë e kombit dhe ata që i dalin zot kombit janë heronj, jo kriminele lufte. Ne sot pushojmë së qenuri politikanë të krahut të njëjtë apo kundërt politike, nuk mund të humbim në paqe atë që fituam me luftë dhe Kosova e lufta e saj për liri janë fitorja jonë e jashtëzakonshme në këtë mijëvjeçar.”- tha Doda.