Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj i drejtohet Nikollës: Koha e debatit e vendosur mënyrë të njëanshme, po kalon në Kuvend ligji më i shtrenjtë në 30 vite


Enkelejd Alibeaj i kërkoi kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla që deputetët të kenë 10 minuta kohë për të folur për marrëveshjen e Portit të Durrësit.

Ai tha se edhe deputetët që nuk janë në grupe parlamentare duhet të kenë 10 minuta në dispozicion. Ai tha se koha e debatit ishte vendosur në mënyrë të njëanshme, sikurse pretendonte Sali Berisha.

“Në konferencën e kryetarëve është vendosur në mënyrë të njëanshme koha e debatit. Në seancën e kaluar kam qenë unë që e kam ngritur për herë të parë dhe ju kishit detyrimin që duhej të votohej koha. Iu kam paraqitur një kërkesë për të rimbledhur edhe njëherë konferencën e kryetarëve për të zhbërë shkeljen e rregullores.

Të gjithë deputetët që nuk janë në grupe parlamentare kanë të drejtë të flasin 10 minuta. Respektoni rregulloren, ktheni kohën që çdo deputet të flasë 10 minuta. Jemi në një procedurë të përshpejtuar për ligjin më të shtrenjtë që ka kaluar në Parlament këto 30 vite. Zgjidhet në këtë mënyrë urtë e butë.”– tha Alibeaj.