Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Rama i përmbyti qytetarët, hapja e portave ishte aq e fortë sa ngriti urën e Bahçallëkut nga themeli


Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD-së, Sali Berisha bëri akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me përmbytjet më veri të vendit.

Berisha tha se kur kanë hapur portat e Komanit dhe të Vaut të Dejës nuk i kanë njoftuar në kohë autoritetet vendore që të marrin masa. Si pasojë e konsideron kryeministrin Edi Rama si përgjegjësin kryesor për përmbytjet.

“Akti i tyre është kriminal dhe i papërgjegjshëm, sepse ligji i detyron që në çdo vendim që marrin për hapjen e portave, duhet të njoftojë autoritetet vendore. Dhe autoritetet vendore marrin masa që të njoftojnë popullatën.

Kjo nuk ka ndodhur. Kanë hapur dy tunelet e Komanit, portat e Komanit dhe të gjitha tunelet, portat e Vaut të Dejës.

Kaq i madh, kaq i fuqishëm ka qenë vërshimi, saqë ka ngritur me themel urën e Bahçallëkut. Ka marrë bazamentin e ujit. Gjysma e urës është zhdukur.

Nuk kishin parë ndonjëherë banorët dhe njeriu që i përmbyti ata, ka dy ditë që i gënjen në mënyrë të turpshme, në vend që të kërkojë ndjesë dhe të shkarkojë të gjithë zinxhirin përgjegjës për përmbytjet.

Rama bën gjithçka që të mos dëmshpërblejë, por ne do i çojmë përpara ligjit. E përgëzoj zotin Spahiu për padinë. Nuk shkonte dot në Shkodër, por shkonte në Sukth për të përgëzuar Sakon për ballon e saj. Në kulmin e përmbytjeve, Sako bënte ballo për kryeministrin te Kodra e Kuajve. E përgëzoj Mit’hat Hazbiun për atë që i tha kryeministrit. Ky u soll me tërbim dhe përfundoi në spital ai. I bërtiste qytetarit: Burg, burg, burg. Ndaj amendamenti është shumë i rëndësishëm, që të krijohet fondi rezervë. Se ligji e thotë që ai që përmbyt, ai të paguan.”– tha Berisha.