Vendosni fjalën kyçe....

Projekti i Portit të Durrësit, financimi dhe përfitimet e Shqipërisë


Punimet për zbatimin e projektit të Marinës dhe Jahteve në Portin e Durrësit nuk do të pengojnë aktivitetin tregtar të Portit Durrësit.

Konfirmimin e dha Drejtori i Portit të Durrësit, Pirro Vengu, gjatë një interviste për emisionin “Pa Censurë”.

Si pjesë e grupit negociator, Vengu ka njohje të thella për projektin dhe tregon mbi maketin e investitorit nga Dubai 2 fazat e ndërtimit.

Porti nuk ndalon aktivitetin e tij tregtar, por ridimensionohet përmes një projekti zhvillimor me dy faza. Në fazën e parë, në zonën lindore të Portit të Durrësit, kur vjen nga Ura e Dajlanit dhe deri në ndërlidhjen me qytetin e Durrësit, nuk ka aktivitet tregtar. Janë zona të ndotura, zona pa aktivitet ekonomik. Aty ndodhen ish depozita të vjetra dhe pjesë e saj do te jetë rehabilitimi mjedisor, urban, mjedis i gjelbër dhe një hapësirë publike për qytetarët e Durrësit.” – shpjegoi Vengu.

Në këtë zonë të braktisur, të pashfrytëzuar të Portit, do të kryhen ndërtime apartamentesh dhe hotelesh, çka mundëson, mosndërprerjen e aktivitetit në Port deri në fund të fazës së parë, e cila zgjat 5-7 vjet.

Pirro Vengu tregon se paralelisht me këtë fazë, vitin e ardhshëm pritet të nisin punimet për portin e Porto Romanos, ku do të zhvillohet aktiviteti tregtar portual. Nga gjithë aktiviteti në zonën e zhvillimit, shteti shqiptar do të përfitojë 33% të fitimeve deri në momentin e shitjes, 1 miliardë e 69 milionë euro nga taksat për 20 vjet dhe më pas përfitimi llogaritet nga taksimi normal i shërbimeve në zonë.

Për komplekse hotelerie dhe turistike këto taksa nuk paguhen fare. E vërteta është se nuk po falet asnjë taksë. Do të paguhet TVSH, do të paguhen kontributet, do të paguhet tatim fitimi. Vlera fiskale për buxhetin e shtetit për zhvillimin e të gjithë Marinës është 1 miliardë e 69 milionë euro në 20 vjet, që arkëtohen nga buxheti i shtetit”-tha Vengu.

Një nga kritikat kryesore të opozitës për projektin e Portit të Durrësit është dhënia e pasurisë publike pa garë tek një investitor privat, duke shkelur parimin kushtetues të konkurrencës. Bëhet fjalë për tokën e Portit, rreth 80 ha, që i kalon investitorit privat në faza të ndryshme të zhvillimit të projektit.

Ligji për investimet strategjike është respektuar me skrupulozitet maksimal nga grupi negociator. Duhet theksuar se barrën e financimit e ka ekskluzivisht privati.”- pohoi Drejtori i Portit të Durrësit, Pirro Vengu.

Ai foli edhe për portofolin financiar të investitorit, i cili nuk është 2 miliardë euro, por 80 milionë euro nga kompania e tij dhe 80 milionë euro të tjera kredi.

Por anëtari i grupit negociator për palën shqiptare, Pirro Vengu tha se nuk ka vend për një shqetësim të tillë.

Kredencialet teknike dhe financiare të zotit Alaabar, grupi i të cilit ka investuar 15 miliardë euro në të gjithë botën, janë të provuara. Investitori ka të drejtë të gjenerojë të ardhura financiare edhe përmes palëve të treta, përmes kredive financiare që mund të ndërmarrë. E rëndësishme është që shteti, duke qenë bashkëaksioner, ka të drejtën e vetos për këto vendimmarrje të rëndësishme.”-tha Vengu.

Projekti i investitorit nga Dubai Mohamed Alaabar për Marinën e Jahteve në Portin e Durrësit ka ndarë në dysh politikën shqiptarë, pasi opozita e sheh si një projekt pas të cilit fshihen interesat personale të kryeministrit Rama.

Dyshimet dolën në pah për shkak se kompania “Symphony Invest Limited”, që mori statusin me kusht të investitorit strategjik 1 vit më parë ishte e regjistruar në parajsë fiskale, ku emrat e pronarëve nuk bëheshin të ditur. Por Pirro Vengu, pohoi indirekt se pas kësaj kompanie qëndron vetë investitori nga Dubai.

Vengu tha se nuk ka asnjë paqartësi për pronarët e kompanisë.

Symphony Invest Limited ka qenë një prej instrumenteve e përdorur fillimisht nga zoti Alabar, kur ka paraqitur projektin.”- tha Vengu, i cili më tej tregoi detaje sesi negociatat nxorën në dritë emrin e Mohamed Alaabar si investitor strategjik.

Ka patur një diligjencë (verifikim) juridike dhe financiare shumë skrupuloze, e cila na ka çuar në situatën ku jemi sot, ku ne po nënshkruajmë një marrëveshje me një prej zhvilluesve më të njohur ndërkombëtarë për këto projekte dhe me pronarë përfitues të mirëpërcaktuar”-tha Drejtori i Autoritetet Portual Durrës.

Planet për ndërtimin e Portit të ri tregtar në Porto Romano janë bërë shumë konkrete, pasi studio holandeze Royal Haskoning DHV është drejt fundit të studimit inxhinierik për të.

Drejtori i Portit të Durrësit, sqaroi se ndërtimi do të ketë dy faza, që synojnë të kthejnë Porto Romanon në një port modern tregtar rajonal.

Punimet parashikohen të zgjasin 3 vite dhe të fillojnë në fund të 6 mujorit të parë të vitit që vjen. Faza e parë parashikon zhvendosjen e terminalit të kontejnerëve. Mund t’ju jap një vlerë paraprake që fillon nga 320-440 milionë euro për fazën e parë. Është kosto që do të përballohet nga të ardhurat që gjenerohen përmes këtij projekti dhe Autoritetit Portual, jo buxhetit të shtetit” – tha Vengu.

Qeveria parashikon që gjatë fazës së parë, brenda 15-20 viteve nga ndërtimi, Porto Romano të marrë një zhvillim të madh.

Në këtë fazë kemi trefishim të kapaciteteve aktuale të Portit të Durrësit. Ne sot bëjmë 5 milionë ton, në fazën e parë në Porto Romano do të bëjmë 15 milionë ton. Ne bëjmë 170 mijë njësi kontenierike sot, do të bëjmë 3 fishin atje. Faza e dytë ka të bëjë me zgjerimin e aktivitetit. Do të jetë një vendimmarrje që do të vijë në një kohë të dytë.”.

Drejtori i Portit të Durrësit tregoi edhe planet për terminalin aktual të trageteve në Durrës dhe sesi mund të përfshihet NATO në ndërtimin e pjesës ushtarake në Porto Romano.

NATO mund të bashkëfinancojë, NATO mund edhe të rimbursojë. Përtej takimeve në nivel drejtues dhe nivel politik ku kryeministri, sekretari i Përgjithshëm dhe zëvendëskryeministrja kanë bërë prezantimet paraprake në Bruksel, në shtator, kemi patur dhe një vizitë të komandës detare të NATO-s nga Britania e Madhe që ka ardhur ta shohë Porto Romanon. Jemi duke detajuar komponentët inxhinierikë, në mënyrë që të mos jetë thjesht infrastrukturë e vlefshme vetëm për ne, por të jetë e vlefshme edhe për Aleancën”-theksoi Vengu.

Intervista:

Elona Meço: Si do të bëhet njëkohësisht edhe funksionimi i Portit, edhe ndërtimi?

Pirro Vengu: Aktiviteti Portual dhe tregtar sot është brenda në basen, ku janë terminalet përkatëse për mallrat. Qeveria ka një plan për të transferuar aktivitetin tregtar në Porto Romano. Ne nuk parashikojmë të mbyllim Portin, por ta ridimensionojmë dhe të kemi 2 porte të Durrësit, nën ombrellën e Autoritetit Portual, por që janë të specializuar për arsye turizmi, kroçerash dhe jahtesh në portin historik dhe në portin tregtar të Porto Romanos.  Faza e parë është 5-7 vjet dhe faza e dytë shkon në totalin e 20 viteve që parashikon marrëveshja. Kjo është një nga arsyet pse shteti shqiptar ka pranuar të jetë bashkëaksioner dhe zhvillues pa kontribut financiar, pra nuk paguan asnjë qindarkë.

Elona Meço: Por duhet thelsuar se qeveria i jep tokën e Portit të Durrësit investitorit nga Dubai.

Pirro Vengu: Toka vendoset në dispozicion të projektit. Ajo është pronë publike deri në momentin që kolaudohen punimet. Ne e transferojmë pronën parcelë më parcelë, fazë me fazë. Vetëm në fund të kolaudimit të çdo punimi kemi një transferim dhe pronar bëhet investitori strategjik, ku qeveria ka aksione 33%. Flitet shumë për ndërtimet dhe apartamentet, por aseti më i çmuar është baseni, janë kalatat portuale, është hyrja e kanalit të portit të Durrësit.Aktualisht nuk kemi kapacitet t’i akomodojmë as jahtet, as kroçierat, pasi nuk kemi thellësinë e duhur apo infrastrukturën e duhur. Projekti bën një ridimensionin total të këtij aseti që do të mbetet gjithmonë pronë-shtet dhe nuk transferohet. Transferohet me faza toka, por dhe aty deri në shitjen e fundit do të jetë aksioner shteti për të kontrolluar ligjshmërinë e procesit dhe të gjitha transaksionet financiare.

Elona Meço: A paguajmë ne 25 milionë euro për t’ia dhënë gati investitorit nga Dubai?

Pirro Vengu: Është koncepti i bashkëaksionerit. Jemi në një negociatë. Nuk jemi në posocionin që kërkon dhe merr çdo gjë. Llogjika e marrëveshjes është që investimi për pastrimi mjedisor realizohet totslisht nga privati, shteti nuk hedh asnjë lek. Shteti kontribuon nominalisht duke i krijuar disa lehtësira investitorit. 

Elona Meço: Pra 25 milionëshi është pjesë e 33% që posedon shteti?

Pirro Vengu: Është pjesë e lehtësirave që ofron qeveria përmes kontributit në taksën për infrastrukturën, kontributi për taksën në ndikim social. Për komplekse hotelierie dhe turistike këto taksa nuk paguhen fare. E vërteta është se nuk po falet asnjë taksë. Do të paguhet TVSH, do të paguhen kontributet, do të paguhet tatim fitimi. Vlera fiskale për buxhetin e shtetit për zhvillimin e të gjithë Marinës është 1 miliardë e 69 milionë euro në 20 vjet, që arkëtohen nga buxheti i shtetit.

Elona Meço: Kritika më e madhe për projektin është se është bërë pa garë. Vërtet si është i bukur, por mund të ishte më i bukur, më i madh, më luksoz, nëse do të ishte bërë me garë?

Pirro Vengu: Ligji për investimet strategjike përcakton mënyrën  sesi investitorët vijnë me propozime konkrete për zhvillime turistike, zhvillime urbane dhe përcakton procedurën. Kjo procedurë është respektuar me skrupulozitët maksimal nga grupi negociator. Duhet theksuar se barrën e financimit e ka ekskluzivisht privati.

Elona Meço: Gjithsesi kjo mbetet pa garë, pasi mund t’i ishim referuar një ligji tjetër siç është ligji për prokurimin publik

Pirro Vengu: Ligji për investimet strategjike është një ligj në përputhje me të gjitha parashikimet e BE për thithjen e investimeve të huaja dhe nuk kemi pse të surprizohemi pse nuk u bë një tender publik. Këtu nuk ka para publike që hidhen në projekt. Në rastin tonë kemi të bëjmë me një zhvillues me kredenciale shumë të forta, qoftë nga pikëpamja financiare, qoftë nga pikëpamja teknike, qoftë nga pikëpamja e suksesit në projekte te ngjashme në Mesdhe, në Europë dhe jo vetëm në Lindjen e  Mesme.

Elona Meço: Ju thoni që investitori është i fortë financiarisht, por ai do të investojë vetëm 80 milionë euro të vetat dhe 80 milionë thotë se do t’i marrë kredi në fazën e parë. Pyetja ime është ku janë 2 miliardë euro?

Pirro Vengu: 2 miliardë është totaliteti i zhvillimit të projektit. Jua them unë ku i ka 2 miliardë. Vetëm vitet e fundit, grupet e drejtuara dhe nën pronësinë e zotit Alaabar kanë investuar 15 miliardë euro në të gjithë botën. Pra kredencialet teknike dhe financiare janë të provuara. Investitori ka të drejtë të gjenerojë të ardhura financiare edhe përmes palëve të treta, përmes kredive financiare që mund të ndërmarrë. E rëndësishme është që shteti, duke qenë bashkëaksioner, ka të drejtën e vetos për këto vendimmarrje të rëndësishme. Toka nuk vihet kolateral, nuk është e lejuar në kontratë. Për çdo financim nga palë të treta, shteti ka veton dhe duhet të shprehet për ligjshmërinë e prejardhjes së këtij financimi. Flitet për pastrim  parash, por ka qenë kujdesi ynë për t’i paraprirë një rreziku të tillë që ka vënë dispozitën në kontratë, që jo vetëm respektohet ligji për luftën kundër pastrimit të parave, por respektohen edhe sanksionet ndërkombëtare të BE dhe SHBA, përsa i përket financimit  dhe blerjeve në këtë kompleks.

Elona Meço: Këtë projekt mund ta bënin fare mirë dhe investitorët shqiptarë, pasi edhe ata kanë 80 milionë euro për te investuar dhe për të marrë po kaq me kredi.

Pirro Vengu: 80 milionë euro është gatishmëria imediate e investitorit për ta nisur projektin. Përtej kësaj ka dhe garanci financiare nga partnerë të tretë që ta çojë deri  në fund procesin. Njerëzit pyesin me të drejtë a do të bëhet, sepse nuk dihet çfarë ndodh me çmimet e pronave në tregun ndërkombëtar. Prandaj shteti ka vendosur as të mos shesë tokën, as ta japë të gjithë Portin. Përkundrazi, ruhet ajo që është infrastrukturë publike dhe është bashkëaksioner. Në çdo vendimmarrje ka veto dhe mund të thotë “stop. Këetu kemi paqartësi, kemi pasiguri financiare apo teknike” dhe projekti ridimnsionohet duke qenë ortaku shtetëror për vendimmarrjet e rëndësishme.

Elona Meço: Ka rrezik që ky projekt të dështojë?

Pirro Vengu: Në kontratë ky risk është reduktuar fare mirë, sepse puna nis në zona ku nuk ka aktivitet portual, që duhen rehabilituar dhe duhet t’i kthehen qytetit. Nuk ka risk që kjo të ndodhë, sepse ne i kemi frenat në dorë si shtet për të siguruar mbarëvajtjen.

Elona Meço: Fillimisht u tha se projekti do të investohej nga kompania e famshme e Dubait Emaar Properties, por nuk është. 

Pirro Vengu: Investitorë si zoti Alaabar kanë në pronësi dhe drejtojnë grupe e kompani zhvillimore. Patjetër që zoti Alabar është themelues i Emaar Properties, kompani e kuotuar. Eagle Hills është instrument i grupeve të kompanive të zotit Alabar, në pronësi të tij dhe të familjarëve të tij

Elona Meço: Por jo në pronësi të Emaar Properties.

Pirro Vengu: Eagle Hills është instrumenti i përdorur nga zoti Alaabar dhe kompanitë e tij zhvillimore për të çuar përpara projekte zhvillimore në Mesdhe dhe në Europë. Përmes këtij instrumenti ai investon në Kroaci, në Serbi, në Marok, në vende të tjera të Mesdheut  dhe tashmë, edhe në Shqipëri.

Elona Meço: Patjetër, Alaabar është është tek Eagle Hills, edhe tek Emaar Propërties, por këtu nuk është përfshirë Emaar, siç u tha në fillim.

Pirro Vengu: Nuk mund t’i imponohet investitorit privat se cilin grup kompanish ai kërkon të përdorë për investim.

Elona Meço: Patjetër që jo, po flas për premtimin që bëri kryeministri publikisht, duke thënë se këtu do të vijë Emaar Properties për të bërë këtë investim. 

Pirro Vengu: Kryeministri ka qenë shumë i kthjellët dhe shumë i drejtë. Zoti Alaabar ka themeluar Emaar Properties dhe ka kredencialet më të larta ndërkombëtare përsa i përket zhvillimeve të këtyre përmasave, që nuk janë vetëm objekte dhe pallate, por një rehabilitim urban tërësor. Siç shihet në maket, këtu ka parqe, që i rikthehen qytetit të Durrësit, kemi gjithçka publike dhe të hapur, terminale me akses në qytet. Këtu nuk ka një tra ku qytetari paguan për të shkuar tek hotelet me 5 yje. Duhet kuptuar se një pjesë e mirë e të ardhurave  nuk vjen nga shitja e apartamenteve, por nga shërbimet që vijojnë pa ndërprerje për të gjithë kohën. Vijojnë për Marinën, vijojnë për ambientet tregtare dhe shteti në këtë mënyrë bëhet bashkëaksioner në një sipërmarrje ku ka marka të mëdha ndërkombëtare hotelesh, të shërbimeve të tokës, të detit. Kjo është një logjikë ekonomike, e zbatuar me sukses edhe në vende të tjera. Pra shteti përfiton 33% të gjithçkaje që ndodh në këtë zonë plus 2% që vijnë nga të ardhurat e Marinës, e shërbimeve detare që i shtohen.

Elona Meço: Çfarë mundësie ka që pas këtij projekti të ketë kompani offshore, në parajsa fiskale, që ne nuk ia dimë pronarët? E bëj këtë pyetje, sepse kur i keni dhënë me kusht statusin e investitorit strategjik, ia keni dhënë një kompanie, e regjistruar në offshore, Symphoni Invest Limited.

Pirro Vengu: Ne kemi bashkëfirmëtar zotin Alaabar, grupin e kompanive në pronësi të tij, me pronarë përfitues të identifikuar, që janë të gjithë shtetas të Emirateve. Ortaku privat është një kompani e mirëpërcaktuar  me pronarë përfitues të mirëpërcaktuar, i dimë kush janë. 

Elona Meço: Po, por kur ju keni dhënë statusin e investitorit strategjik, kjo kompani ishte në parajsë fiskale, në ishujt Kajman. Ky është fakt apo jo?

Pirro Vengu: Nuk më rezulton që ne i kemi dhënë statusin e investitorit strategjik në parajsa fiskale. Qeveria ka pëlqyer një propozim zhvillimor të këtyre përmasave dhe i ka dhënë projektit, idesë një status dhe më pas…

Elona Meço: Ia keni dhënë edhe investitorit të regjistruar në parajsë fiskale dhe ky është fakt.

Pirro Vengu: Ka patur një diligjencë (verifikim) juridike dhe financiare shumë skrupuloze, e cila na ka çuar në situatën ku jemi sot, ku ne po nënshkruajmë një marrëveshje me një prej zhvilluesve më të njohur ndërkombëtarë për këto projekte dhe me pronarë përfitues të mirëpërcaktuar. 

Elona Meço: Kjo ndodhi pasi ju ndoshta keni kërkuar që ky të kalojë ne dritë nga ofshore dhe të regjistrohet në Dubai. A ndodhi kjo procedurë?

Pirro Vengu: Ne nuk mund t’i imponojmë zhvilluesit privat me kredenciale ndërkombëtare strukturën me të cilën ai vendos të paraqitet publikisht. Ju siguroj se ka patur një procedurë ligjore të zbatuar nen për nen me afate të përcaktuara dhe i kemi shkuar deri në fund diligjencës juridike dhe financiare.

Elona Meço: Symphony Invest Limited a ishte e regjistruar në ishujt Kajman?

Pirro Vengu: Symphony Invest Limited ka qenë një prej instrumenteve e përdorur fillimisht nga zoti Alabar, kur ka paraqitur projektin. Kjo është një kompani që zhvillon projekte edhe në Britaninë e Madhe. Nuk ka asgjë të paqartë. Kemi një kontratë me nje investitor strategjik, i cili është shteti me 33% ortak dhe kemi pronarë përfitues që dihet kush janë, ku banojnë, ku i paguajnë taksat dhe kush janë pronarët përfitues. Pra është diligjenca jonë juridike dhe financiare që ka reduktuar të gjitha këto risqe, që me të drejtë ngrihen nga disa persona që e shohin seriozisht këtë projekt.

Elona Meço: Kjo ndodhi pasi ju ndoshta keni kërkuar që ky të kalojë ne dritë nga ofshore dhe të regjistrohen në Dubai. A ndodhi kjo procedurë?

Pirro Vengu: Ne nuk mund t’i imponojmë zhvilluesit privat me kredenciale ndërkombëtare strukturën me të cilën ai vendos të paraqitet publikisht. Ju siguroj se ka patur një procedurë.

Elona Meço: Çfarë do të ndodhë me Terminalin e Trageteve, do të zhvendoset? 

Pirro Vengu: Maketi paraqet idealisht sesi duhet të shkojë projekti. Për terminalin e trageteve është parashikuar të ketë zhvendosje dhe do të përshtatet bashkë me kroçerat për të patur edhe një akses më të lehtë në qytet, jo siç është aktualisht. Në fazën e parë, ne nuk do ta prekin terminalin e trageteve. Do të qëndrojë aty ku është, pasi kemi edhe detyrime kontraktore. Ka një propozim teknik të investitorit privat për të bërë këtë zhvendosje. Në kontratë, ka një dispozitë që nuk mund të merren vendime përsa i përket trageteve pa vendimarrjen shtetërore dhe konsultimin e të gjithë operatorëve portualë dhe kjo është diçka shumë e mirë që kemi arritur në negociata. 

Elona Meço: Dhe është e sigurtë që Terminali i Trageteve do të mbetet në Durrës, në qytet dhe jo në Porto Romano?

Pirro Vengu: Për një fazë të parë pa asnjë dyshim. Unë kam bindjen personale se do të jetë edhe më gjatë se faza e parë. Kjo ka të  bëjë edhe me vlerësimin e vijueshmërisë ekonomike të të gjithë zhvillimit, ka të bëjë me konsiderata që lidhen përtej të ardhurave apo përfitimit. Ka te bëjë me një të mirë publike dhe ne do të tregohemi shumë të kujdesshëm.

Elona Meço: Dëgjova Ministren që pohoi në një nga komisionet parlamentare  se kompania holandeze ka përfunduar fazën e parë të studimit për Porto Romanon. Sa kushton? Me kë po negociohet për financimet?

Pirro Vengu: Kemi një vit që punojmë me studion holandeze, të specializuar në ndërtimin e porteve të këtyre përmasave. Jemi duke përfunduar fazën e detajimit inxhinierik, që na jep mundësinë që në fillim të vitit që vjen, ne të dalim me një tender ndërkombëtar për ndërtimin e  fazës së parë. Punimet parashikohen të zgjasin 3 vite dhe të fillojnë në fund të 6 mujorit të parë të vitit që vjen. Faza e parë parashikon zhvendosjen e terminalit të kontenierëve, pra përpunimit të kontenierëve, aty është thelbi i aktivitetit ekonomik të Portit të Durrësit. Kostot janë duke u përcaktuar dhe finalizuar. Mund t’ju jap një vlerë paraprake që fillon nga 320-440 milionë euro për fazën 1.2, që na çon deri tek faza e dytë. Mund t’ju duket kosto e konsiderueshme, por është kosto që do të përballohet nga të ardhurat që gjenerohen përmes këtij projekti dhe Autoritetit Portual, jo buxhetit të shtetit. Patjetër që janë fonde publike, por detyra jonë është të bëjmë të tilla investime.

Elona Meço: Faza e dytë e Porto Romanos çfarë parashikon?

Pirro Vengu: Faza e dytë parashikon zgjerim të terminaleve, të kapaciteteve, zgjerim të hapësirave. Sot e kësaj dite 30% e ngarkesave që përpunohen në Portin e Durrësit vijnë nga Kosova. Ne kemi synimin që deri në 2025-ën, 10% e këtyre ngarkesave të jenë edhe nga Maqedonia e Veriut. Pra, është një port që po merr vëmendje rajonale. Porto Romano është një nga arsyet pse transferojmë atje aktivitetin tregtar dhe mbajmë një port turistik, pasagjerësh, kroçerash në qytetin e Durrësit. Pra 2 porte, ku porti tregtar të bëhet një port rajonal dhe jo thjesht një port ngarkim-shkarkimi, jo sa shkarkohet malli, shikon rrugën e qytetit, por të kemi një port që ofron kapacitete logjistike, magazinimi, përpunimi, në mënyrë qe të jemi tërheqës edhe për veprimtari që importojnë mallrat, krijojnë vlerën e shtuar në ambient portual dhe eksportojmë, po ashtu, në rrugë detare. 

Elona Meço: Sa vite zgjat faza e dytë?

Pirro Vengu: Së pari, faza e parë mbulon aktivitetin  tonë të synuar sipas projeksionit, pra ajo që do të ndërtohet në 3 vite, mbulon kapacitetet e nevojshme të Shqipërisë dhe të rajonit për një 15-20 vjeçar. Në këtë fazë kemi trefishim të kapaciteteve aktuale të Portit të Durrësit. Ne sot bëjmë 5 milionë ton, në fazën e parë në Porto Romano do të bëjmë 15 milionë ton. Ne bëjmë 170 mijë njësi kontenierike sot, do të bëjmë 3 fishin atje. Faza e dytë ka të bëjë me zgjerimin e aktivitetit. Do të jetë një vendimmarrje që do të vijë në një kohë të dytë. 

Elona Meço: Pra ky trefishim do të zgjasë për rreth 15 vite. Kjo është faza e parë. 

Pirro Vengu: Patjetër. Ne nuk do të hedhim para publike pa patur një qartësi të ecurisë logjistike të rajonit, të portit të thatë në Kosovë, komponent i rëndësishëm i kësaj pjese. Pra Porto Romano është një port strategjik dhe kemi edhe komponentin e NATO-s me bazën detare atje. 

Elona Meço: Si përfshihet NATO në këtë projekt?

Pirro Vengu: Shqipëria po përfshihet prej disa vitesh në organizimin dhe pjesëmarrjen në stërvitje ndërkombëtare. Është në fakt një nevojë e vetë forcave tona të armatosura, që të kenë për forcën tonë detare, kapacitet të mirëfilltë, një bazë të mirëfilltë, akomodim të mirëfilltë të gjithë flotës sonë. Ajo sot është pak e shpërndarë, nuk ka kapacitetet e duhura nga ana infrastrukturore. Kur Shqipëria bëri stërvitjen Europe Defender ‘21, na u desh të pezullonim 1/3-ën e aktivitet tregtar të Portit të Durrësit për 6 muaj. Pra, këto ishin kapacitetet e infrastrukturës ushtarake detare të Shqipërisë. Duhej të ndërprisnim aktivitetin tregtar që të lejonim një organizim ndërkombëtar ushtarak. Duke qenë se do të investojmë në infrastrukturë të re, do të ketë thellësi të re në Porto Romano, kanal të dedikuar me përmasa shumë më të thella se aktualisht, do të shkojmë deri në 15 metra thellësi. Pra, ka një infrastrukturë parësore që do të jetë gati për të akomoduar edhe një infrastrukturë ushtarake edhe kjo për fazën e parë.

Elona Meço: NATO financon këtu?

Pirro Vengu: NATO ka disa mënyra. NATO mund të bashkëfinancojë, NATO mund edhe të rimbursojë. Përtej takimeve në nivel drejtues dhe nivel politik ku kryeministri, sekretari i Përgjithshëm dhe zëvendëskryeministrja kanë bërë prezantimet paraprake në Bruksel, në shtator, kemi patur dhe një vizitë të komandës detare të NATO-s nga Britania e Madhe që ka ardhur ta shohë Porto Romanon. Jemi duke detajuar komponentët inxhinierikë, në mënyrë që të mos jetë thjesht infrastrukturë e vlefshme vetëm për ne, por të jetë e vlefshme edhe për Aleancën.

Elona Meço: Çfarë ndodh me kontratat koncesionare në Portin e Durrësit, ka rrezik arbitrazhi?

Pirro Vengu: Jo! Kontratat koncesionare do të respektohen. Operatorët aktualë ekzistues të gjithë presin, prej vitesh në fakt, që të ndodhë zhvillimi i portit tregtar në Porto Romano, i cili është përcaktuar prej më shumë se një dekade si një zonë industriale edhe nga qeveria e mëparshme. Ajo që po ndodh është që shteti shqiptar ka një vijimësi, ka një strategji kombëtare dhe kjo strategji po jetësohet.

Elona Meço: E pengon projektin ankimimi në Gjykatë Kushtetuese nga opozita, e cila ngre mohimin e parimit kushtetues të konkurencëss së lirë si problem kryesor ?

Pirro Vengu: Nuk jam jurist, por jam i bindur që këtu kemi të bëjmë me një investim ku shteti ka përfitim malsimal, ku mbrohen interesat shtetërorë dhe kemi të bëjmë me një investim, jo cënim të ndonjë parimi kushtetues. Kemi të bëjmë me rolin e shtetit që zhvillon një pronë dhe një të mirë, në funksion të ridimensioninit të dy porteve në Durrës.